Bota

Sa mund të rezistojë Ukraina pa paratë e SHBA-së dhe NATO-s?

Rruga drejt fitores për Ukrainën nuk është aspak e lehtë. Një paketë ndihme për Ukrainën vazhdon të ngecë në Kongresin e SHBA-së dhe kjo ka ngritur shumë pikëpyetje për të ardhmen e Kievit. Mungesa e një ndihme nga aleati më i madh ka shtuar frikën se Ukrainës shumë shpejt do i duhet të dorëzohet, pasi e ka pothuajse të pamundur për të vazhduar përpara. Më e keqja është fakti se në rast se Amerika nuk dërgon ndihma, edhe shtete të tjera perëndimore mund të ndjekin të njëjtën rrugë.

Për pasojë, agjencitë perëndimore të inteligjencës janë duke llogaritur se sa kohë mund të durojë Ukraina pa ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s. Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan vlerësoi muaj, me një skenar të rastit më të keq për një humbje deri në verë. Një fitore ruse nuk do të ishte vetëm një lajm i tmerrshëm për Ukrainën, por do të ishte edhe një fatkeqësi për sigurinë më të gjerë evropiane e mbi të gjitha një goditje e madhe për SHBA-në.

Lexo më shumë  Shefi i Forcave Ajrore të SHBA: Lufta me Kinën dhe Rusinë mund të ndodhë në çdo moment

Forcat ukrainase tashmë po racionalizojnë municionet, thanë zyrtarët amerikanë dhe ukrainas për CNN, pasi forcat ruse qëllojnë në një raport prej 5-7 herë më të madh se sa janë në gjendje të bëjnë forcat ukrainase.

Pa ndihmën shtesë të SHBA-së, zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se Ukrainës fillimisht do t’i mbaronin raketat me rreze të gjatë veprimi, pastaj raketat e mbrojtjes ajrore dhe më vonë municionet e artilerisë dhe raketat me rreze të shkurtër, si raketat antitank Javelin dhe raketat anti-ajrore Stinger.

Çdo kategori municionesh ka qenë vendimtare për mbrojtjen e Ukrainës. Raketat me rreze të gjatë veprimi, të tilla si raketat e lundrimit Storm Shadow të furnizuara nga Britania e Madhe, kanë qenë thelbësore për suksesin e Ukrainës në zmbrapsjen e flotës ruse të Detit të Zi qindra milje për të hapur një korridor transporti për grurë dhe furnizime të tjera. Raketat e mbrojtjes ajrore janë dëshmuar veçanërisht thelbësore javët e fundit pasi Rusia ka zgjeruar sulmet e saj ndaj infrastrukturës civile këtë dimër. Raketat me rreze më të shkurtër u kanë mundësuar forcave ukrainase të mbrohen kundër tankeve dhe avionëve rusë, të cilët janë shumë më të shumtë në numër.

Lexo më shumë  Rutte kërkon ndryshimin e trajektores së luftës në Ukrainë

Vlerësimet se çfarë do të thoshte një humbje e Ukrainës për Evropën po shkakton frikë të thellë në mesin e disa prej aleatëve më të afërt evropianë të Amerikës.

“Unë nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë plotësisht se çfarë do të thoshte në të vërtetë rënia e Ukrainës,” tha një diplomat evropian. “Do të shihnim gjëra të tmerrshme: spastrim etnik dhe shkatërrim total të Ukrainës. Mbani mend se çfarë bënë në Bucha. Pra, është tashmë sukses nëse mund ta parandalojmë që të ndodhë. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë”, përfundoi ai.

YouTube player