Bota

Ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, dënohet me 4 vite burg për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë

Një ish-zyrtar i lartë i FBI-së për kundërzbulimin u dënua të enjten me mbi katër vjet burg për shkelje të sanksioneve ndaj Rusisë, pasi ai kishte punuar për një oligark rus që kërkonte të dhëna ndaj një rivali të pasur.

Charles McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në daljen e tij në pension në vitin 2018, pranoi në muajin gusht se kishte punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska për të gjetur të dhëna negative për oligarkun rival Vladimir Potanin.

55-vjeçari Charles McGonigal u dënua në gjykatën federale të Manhatanit me katër vjet e dy muaj burg. Gjykatësja e çështjes, Jennifer H. Rearden, tha se zoti McGonigal kishte dëmtuar sigurinë kombëtare duke shpërfillur vazhdimisht sanksionet që synonin të ushtronin trysni ekonomike ndaj Rusisë për të arritur rezultate pa forcë ushtarake. Ai u gjobit gjithashtu me 40,000 dollarë

Prokurori e cilësoi krimin e të pandehurit McGonigal si një etje për para i cili i kishte përdorur njohuritë që fitoi gjatë karrierës në FBI për t’i shërbyer një oligarku famëkeq rus, industrialistit miliarder Oleg Derispaska, dikur të hetuar prej tij.

Në vitin 2018 Shtetet e Bashkuara vunë sanksione ndaj oligarkut Deripaska për arsye që lidhen me pushtimin e Krimesë nga Rusia. Pasi iu dha rasti për të folur, McGonigal tha me një zë ndonjëherë që i dridhej se ishte penduar thellë dhe i vinte keq për veprimet e tij.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

“Unë e kuptoj më shumë se kurrë që e kam tradhtuar besimin e njerëzve të mi të afërt”, tha ai. “Për pjesën tjetër të jetës sime, unë do të luftoj për ta rifituar atë besim”. Ndërsa u largua nga gjykata duke shtrënguar duar me bashkëshorten Pamela, ai tha: “Gëzuar festat të gjithëve”.

Në muajin gusht ish-agjenti i kundërzbulimit të FBI-së e pranoi fajin ndaj akuzës për shkeljen e sanksioneve amerikane. Ai i tha gjykatëses se kishte marrë mbi 17,000 dollarë për ta ndihmuar oligarkun rus Deripaska me informacione negative për një oligark tjetër rus, i cili ishte konkurrent biznesi.

Prokurorët thonë se zoti McGonigal po përpiqej gjithashtu ta ndihmonte oligarkun Deripaska për ta hequr atë nga lista e sanksioneve dhe po zhvillonte negociata me disa bashkëpunëtorë për një shpërblim nga 650,000 deri 3 milionë dollarë për të gjetur dokumente që mund të zbulonin rreth 500 milionë dollarë në pasuri, të fshehura nga rivali i tij në biznes.

Avokati mbrojtës, Seth DuCharme, kërkoi shmangien e burgimit duke përmendur karrierën e zotit McGonigal, përfshirë punën e tij pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe hetimin e tij për dy sulmet terroriste vdekjeprurëse në ambasadat amerikane në Afrikë në vitin 1998.

Ndihmës Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Hagan Scotten, argumentoi për një dënim maksimal pesëvjeçar, duke i thënë gjykatësit se zoti McGonigal kishte një rrogë prej mbi 200,000 dollarë në vit përpara se të largohej nga FBI-ja dhe se ai paguhej mbi 850,000 dollarë në vit në sektorin privat, për një korporatë të njohur ndërkombëtare kur ai kreu krimin.

Lexo më shumë  Shefi i Forcave Ajrore të SHBA: Lufta me Kinën dhe Rusinë mund të ndodhë në çdo moment

“Varfëria nuk ishte motivi për krimin, por babëzia”, tha ai. Zoti Scotten tha se McGonigal kishte një nga detyrat më të rëndësishme të kundërzbulimit në botë përpara se të largohej nga FBI-ja.

Prokurori Damian Williams tha përmes një deklarate se dënimi i zotit McGonigal ishte provë se kushdo që shkel sanksionet amerikane “do të paguajë një dënim të rëndë”.

“Charles McGonigal shkeli besimin që i dha vendi i tij, duke përdorur postin e lartë në FBI për t’u përgatitur për të ardhmen e tij në biznes. Pasi u largua nga shërbimi publik, ai rrezikoi sigurinë kombëtare duke i ofruar shërbime Oleg Deripaska-s, një manjati rus që vepron si agjent i Vladimir Putinit”.

Zoti McGonigal, i cili jeton në Nju Jork, është akuzuar veçmas në një gjykatë federale në Uashington, për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve, që dyshohet se i ka marrë nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar, ndërsa McGonigal punonte për FBI-në. Për këtë rast ai do të dënohet më 16 shkurt. Gjykatësja Rearden e urdhëroi atë që të paraqitej në burg më 26 shkurt./VOA

YouTube player