KryesoreLajme

Nënshkruhen marrëveshjet e projektit madhor prej 80 milionë euro për ngrohtoren solare në Prishtinë

Ministria e Financave dhe ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos” kanë mbajtur ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve të nën-huazimit dhe nën-grantit për projektin e ngrohtores solare në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se përmes kësaj marrëveshje çmimi i ngrohjes do të jetë më i volitshëm për qytetarët, ndërsa do të kursehet edhe energjia elektrike.

“Është kënaqësi që jemi këtu për të nënshkruar tri marrëveshje që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe funksionalizimin e ngrohtores diellore të kryeqytetit. Ky projekt është në vlerë rreth 80 milionë euro dhe ka rëndësi të veçantë pasi mundëson zgjerimin e rrjetit dhe kësisoj siguron që çmimi për ngrohje të jetë i volitshëm për qytetarët dhe të kursehet energjia. Ky projekt ka rol edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Në emër të Qeverisë dua të falënderoj Bashkimin Evropian, shtetin gjerman dhe Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim”, theksoi ministri Murati.

Lexo më shumë  Zgjedhjet e 9 shkurtit, Konjufca fton mërgimtarët që të regjistrohen dhe të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar në ambasada ose konsullata

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde derisa u shpreh i lumtur që më në fund po bëhet nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, tha se ky do të jetë një ndër projektet më të mëdha në Evropë.

Ndërkaq, drejtori i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Sergiy Maslichenko u shpreh se pret që pas nënshkrimit, marrëveshjet të zbatohen me sukses.

Lexo më shumë  Konjufca: 28 Nëntori është data më përbashkuese e kombit tonë
YouTube player