Shtatë serbë nën aktakuzë për gjenocid ndaj boshnjakëve
Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur aktakuzë kundër shtatë ish-pjesëtarëve të ushtrisë së serbëve të Bosnjës me akuzën për pjesëmarrje në gjenocidin kundër boshnjakëve në Bosnjën lindore në vitin 1995. Siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë, të akuzuar janë Ratko Vujoviq (56), Ljubomir Vlaçiq (66), Vitomir Pepiq (70), Milovan Ognjenoviq (71), Goran Vishkoviq (69), Zheljko Dupljanin (48) dhe Vlastimir Golijanin (49).
Të akuzuarit gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë ishin pjesëtarë të policisë ushtarake të të ashtuquajturit korpus i Drinës të ushtrisë së serbëve të Bosnjës dhe kjo njësi ishte e përfshirë drejtpërdrejt në sulmin në Srebrenicë dhe në përndjekjen dhe vrasjen masive të boshnjakëve. Në zonën e lokalitetit Shekoviqi dhe Vlasenicë, ata kapën një grup më të madh boshnjakësh të cilët u përpoqën që nga Srebrenica të depërtojnë në territorin nën kontrollin e Ushtrisë së BeH-së.
Pas mbajtjes në kampin e Sushicës afër Vlasenicës, të burgosurit i dërguan në tre lokalitete të ndryshme ku i pushkatuan, ndërsa sipas aktakuzës, në këtë mënyrë u vranë të paktën 65 persona, mbetjet mortore të të cilëve, pas luftës, janë gjetur dhe janë zhvarrosur nga varrezat masive.
“Të akuzuarit ngarkohen se kanë ndihmuar me vetëdije pjesëtarët e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale në kryerjen e gjenocidit kundër viktimave të nacionalitetit boshnjak pas rënies së Srebrenicës që ishte zonë e mbrojtur nga OKB e Srebrenicës, duke kryer kështu krimin e gjenocidit,” – thuhet në aktakuzë, e cila është ngritur në bashkëpunim me mekanizmin për gjykatat ndëshkuese ndërkombëtare (MICT), që është pasues i Tribunalit të Hagës, i cili për këtë rast mblodhi prova të shumta.
Gjetjet e aktakuzës Prokuroria planifikon t’i vërtetojë duke thirrur rreth 130 dëshmitarë, ndër të cilët 10 dëshmitarë me masa mbrojtëse, si dhe me mendimet e 14 ekspertëve, përfshirë këtu edhe ata ndërkombëtarë, si dhe me qindra prova materiale.
Në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, gjenocidin e vetëm të njohur ndërkombëtarisht në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore, u vranë mbi tetë mijë burra dhe djem nga grupi etnik boshnjak, i cili përbëhet kryesisht nga myslimanë.
Rruga Press