Kuadri i pazhbëshëm shqiptar i pavarësisë së Kosovës
Shkruan Donik Sallova
Të shkëpusësh shtetin e Kosovës nga konteksti shqiptar, do të thotë të mos e kesh kuptuar kurrë gjenezën e idesë së këtij shteti. Ndarja e Kosovës nga çështja shqiptare, e cila çështje lidhet me të drejtën e kombit shqiptar për bashkim, si e drejtë e çdo kombi me dinjitet, do të thotë ta reduktosh pavarësinë e Kosovës në një ngjarje të lidhur me rrethanat, ashtu siç bëri edhe Ahtisaari në planin e tij, kur tha se “pavarësia është zgjidhja e vetme, sepse gjendja s’mund të kthehet para vitit 1999″. Me këtë ai nuk është se na bëri nder!
Ahtisaari e rekomandonte pavarësinë mbi gjendjen faktike të rrethanës demografike, ku shqiptarët e mbetur gjallë s’mund të kthehen më nën Serbi, por duke e privuar kështu pavarësinë e Kosovës nga mbështetja në të drejtën historike si tokë shqiptare apo në të drejtën e vetëvendosjes si principi themelor i të drejtës ndërkombëtare për vetëvendosjen e popujve.
Pavarësia e Kosovës e ndarë nga konteksti shqiptar, pra jo si e drejtë e vetëvendosjes në funksion të përplotësimit të vetëvendosjes kombëtare shqiptare, por me gjenezë vetëm Pakon e Ahtisaarit, e bën atë një “pavarësi të varur nga rrethanat faktike”, pra nga fakti që gjendja s’mund të kthehet para ’99. Po çfarë nëse do të ndryshonin rrethanat? A do duhej të ndryshonte edhe legjitimiteti i shtetit të Kosovës?
Këtë ide të Ahtisaarit e kanë asimiluar kosovocentristët, të cilët mendojnë që pavarësia e Kosovës do të ruhet sa më shumë që ideja e shtetit të Kosovës të shkëputet nga kuadri i shqiptarisë. Për këtë, kosovocentrikët janë të gatshëm të pranojnë edhe idenë e “kombit kosovar”, si besnikëri ndaj distancimit prej idesë së bashkimit kombëtar shqiptar. Kosovocebtrikët duhet ta dinë se Kosova ka pasur një kushtetutë të miratuar më 7 shtator 1990 që Republikën e Kosovës e shihte si shtet të kombit shqiptar, pa i përjashtuar aspak të tjerët, por pa e mohuar veten.
Fatkeqësisht, kësaj rryme mendimi të qarqeve neounmikiste (si trashigimtare të neojugosllavizmit proserb) po i bashkohet çdo ditë e më shumë edhe LDK-ja si parti që në fundamentin e vet nuk ka qenë kundër bashkimit. LDK-ja ka hequr nga diskursi dhe simbolika e saj çdo element kombëtar shqiptar. P.sh. në tubimet e saj partiake më nuk intonohet himni kombëtar shqiptar, ndërsa zyrtarët e saj e propagandojnë si anti-Kosovë çdo ide që promovonë bashkimin Kosovë-Shqipëri.
Por, këta kosovocentrikë gabojnë kur mendojnë se do ta forcojnë Kosovën duke e shkëputur shtetin e Kosovës nga gjeneza e saj shqiptare. Shteti i Kosovës do të mbijetojë vetëm për aq sa ai do të konceptohet si e drejtë e pamohueshme e shqiptarëve të Kosovës për të qenë sovran në tokën e vet dhe si e drejtë e vetëvendosjes për të qenë të pavarur e të bashkuar me kë të duan, sepse sovraniteti i takon popullit të Kosovës si atribut që buron nga historia dhe parimësia. Ata që thonë se Kosovën e ka bërë shtet NATO, ata duhet ta dinë se armiqtë tanë presin ta zhbëjnë shtetin e Kosovës kur NATO të zhbëhet apo të dobësohet apo të largohet nga Kosova. Dhe kjo, pavarësisht urimit tonë të përkundërt, është normale, sepse Aleancat janë më jetëshkurtëra dhe më të ndryshueshme se sa shtetet dhe kombet, sepse vetë gjeopolitika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare janë të ndryshueshme. Ekzistenca e një shteti nuk mund të legjitimohet vetëm nga aleancat, pavarësisht rëndësisë së tyre.
Në këtë kontekst, e vetmja mënyrë për ta përjetësuar Kosovën si subjekt sovran është duke e lidhur atë me Shqipninë, sepse kështu e lidhë atë me të vërtetën dhe të drejtën historike me qenë tokë shqiptare dhe e pavarur nga Serbia. Duke e vendosë Kosovën gjithnjë në kontekst të Shqipnisë, miqve dhe armiqve tanë do t’ua kujtojmë gjithnjë padrejtësinë historike të ndarjes së kombit shqiptar. Sepse pavarësia e Kosovës është kompromis kundrejt dinjitetit të bashkimit të një kombi në një shtet. Lidhja e Kosovës vetëm me faktin që çlirimi i saj u mundësua dhe e ndihmua nga ndërhyrja e NATO-s dhe pavarësia e saj u rekomandua nga Ahtisaari si rrethanë faktike, atëherë kjo do t’i shërbejë Serbisë në pretendimin e saj mbi Kosovën, që sipas saj “iu mor me forcë nga NATO dhe u pavarësua jo mbi të drejtën e vetëvendosjes, por mbi rrethanat e kohës”. Kjo qasje e legjitimon pozicionin e Serbisë për të kërkuar shpërblim në këmbim të njohjes së Kosovës, si diçka që i është rrëmbyer padrejtësisht. Ndërkohë që e kundërta është e vërteta, pavarësia e Kosovës është dëmshpërblimi i pjesshëm ndaj mohimit të së drejtës së kombit shqiptar për bashkim.
Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës do të justifikohet edhe ndërkombëtarisht më shumë, kur shteti i Kosovës të përkufizohet si e drejtë e popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje. Pavarësia e Kosovës është e drejtë historike dhe jo vetëm rrethanë gjeopolitike, shteti i Kosovës është derivat i historisë shqiptare dhe është më shumë se fakt i pandryshueshëm i momentit (siç tha Ahtisaari).
Kosovocentrikët që po shndërrohen në kombkosovaristë e kanë kuptuar që asnjë shtet modern nuk legjitimohet pa e pasur në themel një komb, sepse kombet i bëjnë shtetet kombëtare. Kështu, me idenë ahtisaariste mbi shtetin e Kosovës ata tani janë rrekur për ta krijuar “kombin kosovar” si legjitimues kushtëzues të shtetit të Kosovës. Duke e parë me armiqësi shqiptarizmën e Kosovës dhe idenë e bashkimit kombëtar, kosovocentrikët kanë shpikur idenë se Kosova do të pranohet si shtet vetëm kur ajo të bëhet edhe komb i ri, i ndryshëm nga kombi shqiptar.
Propagandues të rregullt të kësaj ideje ftohen vazhdimisht nëpër medie dhe televizione dhe u krijohet hapsira për ta denoncuar shqiptaren si kundërshtare të shtetit të Kosovës. Në fakt, kjo është vazhda e politikës identitare unmik-iste e cila synonte që ta zhveshte Kosovën nga kuadri i çështjes shqiptare, duke e trajtuar atë vetëm si çështje humanitare, ashtu siç rezultoi edhe propozimi i Ahtisaarit. Synimi i kësaj politike ishte t’i reduktonte në maksimum kostot politike të Serbisë për luftën e bërë në Kosovë. Kjo politikë ndërkombëtare në vitin 1999 përmes protektoratit të OKB e prolongoi të drejtën e menjëhershme të Kosovës për vetëvendosje e pavarësi, edhe si rrjedhojë e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Në negociatat 2005-2007 me Ahtisaarin e pashmangshmja historike dhe juridike u përkufizua si e pashmangshme demografike.
Përpjekja e sponzorizuar për krijimin e kombit kosovar është kapitulli i fundit për delegjitimimin historik të idesë së shtetit të Kosovës, si një realizim i interesit të drejtpërdrejtë të Serbisë për ta mbajtur Kosovën të lidhur vetëm me rrethanat e krijuara nga bombardimi i NATO-s, e duke e vazhduar mohimin e e të drejtës së kombit shqiptar për përplotësimin e të drejtës së mohuar për vetëvendoje dhe bashkim. Kosova e shkëputur nga historia do të jetë një Kosovë gjithnjë me e pretenduar nga Serbia. Kosova do të jetë e përhershme dhe sovrane vetëm derisa të konceptohet si pjesë e kuadrit së drejtës së kombit shqiptar për të jetuar i lirë e sovran në trojet e veta autoktone, me organizimit shtetëror sipas vullnetit e interesit të vet.
Rruga Press