Bota

Estonia thotë se është e gatshme ta mbyllë kufirin me Rusinë

Estonia ka thënë të mërkurën se është “e gatshme” ta mbyllë kufirin e vet me Rusinë, pas vendimit të Finlandës për ta bërë një gjë të tillë.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, tha se situata në kufirin e Finlandës, e cila është përballur me një valë të madhe emigrantësh pa dokumente në javët e fundit, është “një sulm flagrant hibrid nga Rusia”.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Estonisë, Tsahkna theksoi se shteti baltik “është i gatshëm ta mbyllë kufirin me Rusinë dhe ta mbrojë veten kundër çfarëdo sulmi hibrid”.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Estonia, ish-republikë sovjetike, është tani një përkrahëse e madhe e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtuesit rus.

“Kjo është një dëshmi tjetër se Rusia nuk po e lufton vetëm Ukrainë, por ajo përbën kërcënim ndaj vendeve të tjera me sulmet e saj hibride”, tha Tsahkna, duke iu referuar situatës në Finlandë, gjatë takimit të ministrave baltikë dhe nordikë në Bruksel.

Qeveria e Estonisë tha në një komunikatë për media se ministrat theksuan gjatë takimit se janë të gatshëm ta ndihmojnë Helsinkin, nëse është e nevojshme.

Të martën, Finlanda njoftoi se e ka mbyllur kufirin me Rusinë, me të cilën e ndan një kufi 1.340 kilometra të gjatë.

Kufijtë finlandezë dhe estonezë me Rusinë janë kufij të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

Rruga Press

YouTube player