Opinion/Aktualitet

Të drejtat e kafshëve dhe të njeriut

Shkruan Ruben Avxhiu

PETA, organizata e Njerëzve për Trajtimin Etik të Kafshëve, ka postuar Ditën e Falenderimeve një karikaturë në të cilën vendet në tryezën e festës tradicionale amerikane janë ndërruar. Një tufë gjelash deti po bëhen gati të hanë një trup njeriu.

Fotografia ka sjellë një reagim intersant nga lexuesit.

Gjeli i Detit (“turkey”, në anglisht) është ushqimi kryesor tradicional i Ditës së Falenderimit, në SHBA. Kjo vjen që nga koha e poppullatave indigjene që e kishin pjesë të zakonshme të dietës së tyre.

Miliona gjela deti therren dhe konsumohen të enjten e fundit të çdo nëntori në mbarë Shtetet e Bashkuara. (Gjeli i detit është në çdo kuzhinë edhe në Kanada ku gjithashtu festohet kjo Ditë e Falenderimeve, ndonëse në një datë më të hershme.)

Në kohën moderne njerëzit janë bërë gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj kafshëve, besoj që kur njeriu tashmë zot i planetit, u bë grabitqari dhe rreziku më i madh ndaj llojit të vet.

Në mënyrë domethënëse, një nga ceremonitë e përvitshme më popullore në Shtëpinë e Bardhë, është falja që Presidenti i bën njërit prej dy gjelave të detit që vendosen përpara tij. Gjeli tjetër sipas traditës konsumohet në Shtëpinë e Bardhë.

Mirëpo, PETA nuk e sheh të mjafteshme zbutjen në trajtimin e kafshëve. Ajo kërkon që të zhdukë përfundimisht ngrënien e tyre. Për këtë nxit të mirat dhe virtytet e vegjetarianizmit, heqjen dorë përfundimisht nga nrënia e mishit.

Tema është sigurisht objekt i.përhershëm debatesh të ndezura, humori, talljesh, etj.

Rrjeti social X (dikur Tuitër) ka një mekanizëm që quhet Shënimi i Komunitetit (Community Note) që përmbledh reagimin e lexuesve që korrigjojnë faktet e postimeve.

Në këtë rast: reagimi ndaj PETA-s vinte në dukje se vetë gjelat e detit nuk janë vegjetarianë. Ata habë minj, bretkoca, zhapikë, etj. Bazuar në këtë dietë mund të argumentohet se nëse do të ishin më të mëdhenj në trup e do të zotëronin mjete e teknollogjinë e duhur do ta hanin edhe mishin e njeriut.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Është një reagim interesant që mbase niset për të ekspozuar injorancën ose hipokrizinë e PETA-s por që vendos pa dashje vijën morale te mishngrënia. A nënkupton kjo se është e moralshme që të hamë vetëm kafshët që janë mishngrënëse, apo ato që mund të na hanë. “Po s’i hëngre do të të hanë”. Apo “haji ti i pari që mos të të hanë ato”.

Kjo do të përjashtonte menjëherë disa nga mishrat që preferojmë më shumë. Përfshi edhe qengjin, viçin etj.

Disa kohë më parë, PETA postoi një tabelë ku ishin vendosur disa fotografi kafshësh me shënimin provokues: Të gjitha kafshët duan të jetojnë, ju ku e vini vizën? (Fotografia më lart.)

Reagimet qenë të ndryshme dhe shumica e vinin vijën mes kalit dhe pulës. Kishte disa që vendosnin një vijë gjarpëruese që falte kalin, por dënonte me ngrënie lepurin.

Një reagim tjetër i ndante në tre grupe. Në “kohë normale”, vija hiqej nga pula e tutje; në “kohë krize ekonomike” dieta përfshinte edhe lepurin dhe kalin; kurse në “kohë krizash katastrofike” të gjitha kafshët përfshi qen e mace bëheshin të ngrënshme.

Nuk shpëtojnë nga këto debate as vegjetarianët. Një grup në rritje që quhen veganë nuk konsumojnë as vezë e bulmetra ngaqë vijnë prej kafshëve, pavarësisht se kafshët nuk vriten për të prodhuar ato. Pastaj ka ndarje të tjera, ka vegjetarianë që hanë peshk apo pulë, por nuk hanë mishin e kuq. Duken gjëra pa rëndësi por po u gjende mes një debati për këtë punë, më mirë dil anash se nuk i dihet çfarë ndodh. (Shih foton më lart.)

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Bota sigurisht është plot halle njerëzish që masakrohen e shtypen nga vetë njeriu. Lajmi më i bujshëm nga Rusia këto ditë ka qenë për një kanibal të dënuar me 22 vjet burg, pasi ka vrarë dhe ngrënë disa njerëz. Kur e arrestuan ia gjetën frigoriferin plot me copa mishi njeriu nga viktimat. Tani Presidenti Putin ia ka falur dënimin dhe po e nisin si ushtar për pushtimin e Ukrainës. Humori i zi që ka vijuar pas lajmit është botë më vete. Kaq shumë rusë po vriten në frontin e Ukrainës, sa ky kanibal nuk do të vuajë kurrë nga uria, shkruante dikush. Një tjetër shtonte se rusët nuk kanë më nevojë të varrosin trupat që po humbasin. Shkon ky dhe i ha menjëherë. Kanibali në fjalë është vetëm një nga kriminelët e shumtë ordinerë që tani nderohen si heronj se po vrasin në emër të shtetit. Ndërkohë në Ukrainë uria prej luftës ka sjellë pa dyshim një zhvendosje në kafshët që mund të haen.

Realiteti i tyre është disa larg humorit dhe debatit të Ditës së Falenderimeve të nisur nga karikatura e PETA-s.

Në Ditën e Falenderimeve ka pasur arsye për shumë nga ne që të ndihemi mirënjohës e falenderues që jetojmë në paqe e që kemi ushqim në tryezë e njerëz që na duan. Aq më tepër kur lufta dhe uria nuk janë më aq larg e aq të pamundshme sa pak vite më parë.

YouTube player