Zgjedhjet parlamentare të Serbisë nuk do të mbahen në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë
Serbët e Kosovës që duan të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit do të duhet të udhëtojnë drejt Serbisë për të hedhur votën e tyre, ndërsa Prishtina nuk ka lejuar hapjen e vendvotimeve në Kosovë.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, mblodhi të mërkurën në Rashkë, një komunë në Serbinë jugperëndimore, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për të diskutuar rrugët e përfshirjes së tyre në votime.
Në fillim të nëntorit, Beogradi i kërkoi misionit të OSBE-së në Kosovë që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë, për zgjedhjet në Serbi. OSBE-ja tha se e ka informuar qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të rëndësishëm për këtë kërkesë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një përgjigje ndaj kërkesës së OSBE-së tha se “për votimin e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë duhet të marr për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Në të kaluarën, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë lehtësuar nga misioni i OSBE-së dhe deri në vitin 2020 Kosova, nuk e ka penguar organizimin e tyre. Votat janë grumbulluar nga OSBE-ja dhe janë dërguar për numërim në Serbi.
Por, në prill të vitit 2022, qeveria e kryeministrit Kurti tha se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e saj. Serbia refuzoi dhe si rrjedhojë votuesit serbë nga Kosova kanë votuar në Serbi.
Në janar të vitit 2022, qeveria e Kosovës nuk pranoi mbajtjen në shtetin e saj të një referendumi të Serbisë, duke ofruar mundësinë që kjo të ndodhë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë, gjë që u refuzua nga Beogradi.
Me 1 nëntor, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, të tretat me radhë në Serbi në tre vjet e gjysmë.
Shpallja dhe mbajtja e tyre, ndodh në një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mes tensioneve që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator. Sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.
Vëzhguesit tërheqin vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në këtë periudhë mund të zvarris zbatimin e marrëveshjes, tashmë të vonuar./VOA
Rruga Press