KryesoreLajme

Qeveria e Kosovës i reagon BE-së: Propozimi për heqjen e vizave serbëve me pasaporta të Serbisë, shkelje e sovranitetit

Qeveria e Kosovës ka thënë se Komisioni Evropian nuk e ka konsultuar apo informuar atë në lidhje me propozimin për heqjen e vizave bartësve të pasaportave të Serbisë të cilët jetojnë në territorin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, “shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme”.

Ai ka njoftuar se këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e ka adresuar drejt instancave më të larta të BE-së, ndërsa i bëri thirrje BE-së që të rishqyrtojë propozimin, “i cili përmban shkelje të shumëfishta”.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe. Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë”, ka shkruar ai në Facebook.

Bislimi ka shtuar se njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet e institucioneve të Kosovës në të cilat është angazhuar prej vitesh.

“Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale”, ka thënë tutje.

Bislimi i ka bërë thirrje BE-së që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes

“Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza. Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%”, ka thënë ai.

YouTube player