Opozita italiane kërkon që marrëveshja Rama-Meloni të kalojë në Kuvend
Partitë opozitare të shtetit fqinj, i kanë drejtuar një letër Kryetarit të Dhomës për të kërkuar ruajtjen e rolit të Parlamentit për një çështje shumë delikate siç është ajo e emigrantëve.
‘Più Europa’, PD, Avs, Azione dhe M5s, i kërkojnë kreut të Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontanës, të kryejë të gjithë hapat e nevojshëm në mënyrë që marrëveshja midis Italisë dhe Shqipërisë të transmetohet në Dhomën e Deputetëve, shkruajnë mediat italiane.
Nisma u propozua nga sekretari i ‘PiuEuropa’ Ricardo Magi.
Përmbajtja është e qartë, në kërkesë shkruhet:
“Neni 80 i Kushtetutës parashikon që marrëveshjet ndërkombëtare që kanë karakter politik, ose parashikojnë arbitrazh apo rregullime gjyqësore i nënshtrohen ratifikimit nga Parlamenti për “kontroll nga përfaqësuesit e popullit”.
Prandaj apeli për Fontanën është që të dërgojë në Dhomën e Deputetëve dokumentet mbi të cilat është hartuar marrëveshja mes Giorgia Melonit dhe Edi Ramës.
“Është gjithashtu e nevojshme që të gjithë anëtarët e Kuvendit të jenë në gjendje të kuptojnë plotësisht tekstin e marrëveshjes”, thuhet ndër të tjera, me qëllim “verifikimin se sa përkon me karakteristikat e kërkuara nga neni 80 i lartpërmendur për paraqitjen e saj në ratifikimin legjislativ”.
Letra drejtuar kryetarit të Dhomës lindi në kuadër të përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese të Dhomës për çështjen e emigrantëve.
“Ne ndjekim kërkesën e bërë në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të grupeve për çështjen e marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për çështjen e emigrantëve dhe azilkërkuesve”, thuhet në shkresën e opozitës.
Rruga Press