Bota

Bugajski: Mali i Zi ka nevojë për një kundërsulm ndaj serbizimit

Me formimin e një qeverie të re koalicioni, Mali i Zi përballet me një shtytje të intensifikuar nga Beogradi dhe bashkëpunëtorët e tij për të zhdukur identitetin e kombit dhe për të kufizuar shtetësinë e tij.

Kështu thotë në një shkrim autorial njohësi i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski derisa thekson se “e ardhmja e afërt duket sfiduese për Malin e Zi, pasi patriotët e tij do të duhet të organizojnë një kundërsulm efektiv kundër serbizimit dhe klerikalizimit sistematik”.

Sipas Bugajskit, Mali i Zi ka nevojë për një kundërsulm ndaj serbizimit.

Shkrimi i plotë i tij:

Forumi vjetor i Cetinjes, i organizuar nga Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze në fillim të nëntorit, është një nga të paktat pika të rezistencës ndaj serbizimit.

Analistët në këtë ngjarje paraqitën një pamje të errët se si nën mbulesën e një qeverie pro-evropiane, nacionalistët serbë penetrojnë dhe deformojnë institucionet e vendit. Sa më gjatë që një qeveri e tillë është në detyrë, aq më i madh është rreziku.

Administrata në largim e Dritan Abazoviqit është dënuar ashpër nga patriotët malazezë për hapjen e derës për infiltrimin politik nga nacionalistët serbë dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Pas muajsh pazaresh, qeveria e sapoformuar e Milojko Spajiqit duket se do të vazhdojë politikat e Abazoviqit.

Këtë herë formacioni pro Beogradit “Për të Ardhmen e Malit të Zi” do të funksionojë nën mbulesën e partisë “Evropa tani”, e cila mori shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Objektivat e Beogradit për Malin e Zi mund të mos parashikojnë një bashkim të plotë ndërshtetëror, por krijimin e një shteti të varur që është nën kontrollin ose mbrojtjen e një shteti më të fuqishëm që do t’i përmbahet politikave të jashtme dhe të sigurisë së Serbisë dhe nuk do ta sfidojë Beogradin në arenën ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Regjimi i Vuçiqit nuk ka gjasa të shtyjë daljen e Malit të Zi nga NATO. Në vend të kësaj, ai llogarit se agjencitë serbe dhe ruse mund të marrin inteligjencën e NATO-s dhe të minojnë kohezionin dhe efektivitetin e Aleancës.

Partitë pro-serbe do të përpiqen të devijojnë çdo fushatë të vërtetë kundër korrupsionit nga qeveria e re në sulme kundër opozitës dhe anëtarëve të administratës së mëparshme të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS).

Njëkohësisht, ata do të vazhdojnë të përfitojnë nga patronazhi i Beogradit dhe Moskës duke maskuar lidhjet e tyre të korruptuara të biznesit.

Me parlamentin dhe qeverinë në varësi ose të shkrirë në agjendën serbe, organet dhe institucionet e tjera shtetërore të financuara nga shteti do të fuqizohen për të zbehur identitetin kombëtar malazez.
Pjesa më e madhe e kësaj do të ndërmerret nën petkun e “lirisë fetare”, për të mashtruar vëzhguesit perëndimorë dhe promovuesit e demokracisë.

“Fuqia e butë” e Kishës Ortodokse Serbe do t’i mundësohet të përhapë pikëpamjet e saj të shtrembëruara për historinë dhe identitetin malazez.

Kur u krijua Jugosllavia e parë në fund të Luftës së Parë Botërore, Mali i Zi i pavarur iu nënshtrua shtetit, monarkut dhe fesë serbe.

Ashtu si Kisha Ortodokse e Rusisë, e cila e përshkruan veten si “vëllai i madh” i Ukrainës dhe vjedh historinë e Ukrainës, Kisha Serbe grabiti trashëgiminë e Kishës Ortodokse Malazeze dhe pushtoi manastiret dhe kishat e saj, madje duke përfshirë edhe kryeqytetin tradicional të Cetinjes.

Rendi fetar i Serbisë ka depërtuar gjithashtu në sistemin arsimor ku priftërinjtë-propagandistët e saj ua ‘pastrojnë’ trurin fëmijëve në moshë të hershme për të hequr dorë nga trashëgimia e tyre malazeze dhe të deklarohen si serbë.

Lexo më shumë  Seuli: Rusia, raketa kundërajrore Koresë së Veriut në këmbim të ushtarëve

Historia falsifikohet sistematikisht përmes institucioneve shtetërore për të maskuar faktin se Mali i Zi mund të pretendojë një histori më të gjatë dhe shtetësi më të vazhdueshme se Serbia.

Klerikalizimi jo vetëm që përmbys reformat e Princit Danilo të Malit të Zi në vitet 1850, të cilat ndanë kishën nga shteti, ai gjithashtu kundërshton vlerat thelbësore evropiane të liberalizmit dhe sekularizmit.

Serbia tani po e shtyn Malin e Zi mbrapa drejt obskurantizmit, mesjetarizmit dhe stagnimit shpirtëror.

Sulmet ndaj gjuhës, manipulimi i regjistrimit të ardhshëm për të rritur numrin e serbëve, mohimi i gjuhës malazeze si gjuhë e veçantë, rishkrimi i teksteve të historisë dhe kontrolli mbi mediat janë të gjitha pjesë e fushatës së serbizimit.

Përmbysja e Malit të Zi po ndodh nën sytë e diplomatëve evropianë dhe amerikanë, të cilët besojnë me naivitet se qeveria e re e koalicionit do të jetë demokratike, liberale dhe moderne.

Ata do të tronditen, si gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990, kur patriotëve malazezë t’u mbarojë durimi, kur të intensifikohen konfliktet dhe shtohen mundësitë për dhunë.

Po afron me shpejtësi koha e rezistencës më efektive dhe pohimit të identitetit kombëtar nga një prej kombeve më të vjetra në Ballkan.

Udhëheqësit, aktivistët dhe intelektualët malazezë duhet të mbledhin kombin në mbrojtje të identitetit, gjuhës, kulturës, vlerave dhe shtetësisë së vendit.

Edhe ata qytetarë që votuan për qeverinë aktuale, duke besuar se kjo do të përmirësonte ekonominë dhe do të përshpejtonte anëtarësimin në BE, duhet të ndërgjegjësohen për rreziqet përpara.

Nënshtrimi ndaj Serbisë jo vetëm që do të zhdukte lirinë dhe pavarësinë, do të krijonte gjithashtu një bazë politike ruse brenda NATO-s që përmbys Perëndimin. /KP/

YouTube player