KryesoreLajme

Prindërit e Astrit Deharit kërkojnë shkarkimin e prokurorit Afrim Shefkiu – numërojnë 12 shkelje që ai ka bërë gjatë trajtimit të lëndës

Shtatë vjet nga vrasja e aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Astrit Dehari, në Qendrën e Parburgimit në Prizren, përgjegjësit ende nuk janë vënë para organeve të drejtësisë.

Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, përmes një reagimi publik ka kritikuar prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, i cili kishte marrë lëndën e Astritit për trajtim.

Përmes 12 pikave, Avni Dehari ka numëruar disa nga shkeljet që sipas tij i ka bërë prokurori, duke thënë se “Afrim Shefkiu mund të jetë gjithçka tjetër, por assesi nuk mund të jetë prokuror”.

Dehari ka kërkuar shkarkimin e prokurorit Afrim Shefkiu nga rasti i Astritit.

“Rrjedhimisht, ne si prindër të Astritit të vendosur për zbardhjen e rastit dhe për nxjerrjen e personave përgjegjës para drejtësisë ligjore, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse dhe kompetente për ndjekjen e krimit të rëndë – vrasjes, shkarkimin e Afrim Shefkiut nga rasti i Astritit, ndjekjen e tij penale për manipulim, neglizhencë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fshehje të vrasësve të Astritit”, thuhet në reagimin e bërë.

Postimi i plotë:

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, që në vitin 2019 e ka marrë për trajtim lëndën e Astritit, që më 5. 11. 2016 është vrarë në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit.
Me datë 7. 11. 2023 ky prokuror ka kërkuar nga dy policë hetues: rreshter Hamit Reçica dhe rreshter Ali Berisha ta intervistojnë Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe të marrin masa kundër saj për një status në facebook, më 5. 11. 2023, në të cilin ajo ka shkruar: “Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast”.

Në këtë postim Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar se prokurori i rastit i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, “… është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit!”

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, për pesë vjet me radhë, vazhdon të bëjë shkelje të rënda për ta fshehur të vërtetën për vdekjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, që do t’i paraqesim në vijim:

E para, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, si ish-kolegu i tij Sylë Hoxha, asnjëherë nuk na ka ftuar si prindër të na njoftojë për ecurinë dhe për rezultatet e hetimeve për vrasjen e djalit tonë në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, më 5. 11. 2016.

E dyta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, qëllimisht ka manipuluar me të dhënat e raportit të parë të hetuesve ndërkombëtarë të Mjekësisë Ligjore nga Lozana e Zvicrës, të angazhuar që nga viti 2017, që përjashtojnë mundësinë e vetëvrasjes së Astritit dhe porositin që të kihet parasysh prania e personit të tretë me rastin e vdekjes së Astritit, në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

E treta, prokuroi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe me konferencë për media, që bie në kundërshtim me praktikën juridike, qëllimisht ka manipuluar me raportin e dytë të hetuesve ndërkombëtarë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Lozanës së Zvicrës, që edhe në këtë raport vërtetojnë tezën e raportit të parë për vrasjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit.

E katërta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe pse hetuesit ndërkombëtarë të Instituti të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës, në raportin e tyre pohojnë se u është dërguar zarfi i zbrazët, pa thonjtë e Astritit, që atyre u nevojiteshin për ekzaminim, nuk ka nisur hetim penal kundër askujt, që e ka bërë këtë shkelje.

E pesta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe pse në raportin e dytë të hetuesve ndërkombëtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës, thuhet se u janë dërguar mostra të papërdorshme, që janë dëmtuar për shkak të ambalazhimit joprofesional, nuk ka nisur hetim penal kundër askujt që e kanë bërë këtë shkelje.

E gjashta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe pse në raportin e dytë të hetuesve ndërkombëtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës thuhet se nuk është shfrytëzuar për ekzaminim trupi i Astritit, që do të bënte provën kryesore për zbardhjen e vdekjes së Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, nuk ka nisur hetim penal ndaj atyre, që me qëllim nuk e kanë bërë ekzaminimin e trupit për ta fshehur të vërtetën për vrasjen e Astritit.

E shtata, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, nuk ka nisur hetim penal për zhdukjen e 12 mostrave të Astritit në dhjetor të vitit 2022 në Laboratorin e Toksikologjisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, për të cilat Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pezulluar nga puna 4 zyrtarë të Mjekësisë Ligjore: Nardi Sheqergjiun, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Gogën, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Laknën, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore, si dhe ka kërkuar nga Prokuroria që të merren masa ligjore kundër këtyre personave.

E teta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, nuk ka nisur hetim penal kundër Komisioni të Ankesave në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, që me vendim të datës 27 janar të vitit 2023, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, i ka kthyer në punë katër zyrtarët e pezulluar: Nardi Sheqergjiun, Flutura Gogën, Anila Laknën dhe Iliriana Shalën, pa konstatuar se kush ishte/ishin personat përgjegjës për zhdukjen e mostrave.

E nënta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, ka bërë shkelje duke mos iu përgjigjur dhjetëra kërkesave me shkrim, që avokati i familjes Tomë Gashi në emër tonë, ia ka drejtuar atij që të na ftojë për të na njoftuar se çfarë ka ndodhur me mostrat e zhdukura të Astritit nga Laboratori i Toksikologjisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

E dhjeta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, ka nisur hetim penal kundër Ministres së Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ka kërkuar të zbardhet rasti i Astritit, por asnjëherë nuk ka kërkuar hetim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare të ish-Ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha, që në kundërshtim me ligjin i ka publikuar në TV videoincizimet dhe ka kërkuar të ndiqen penalisht avokati Tomë Gashi dhe dy ekspertët e pavarur të mjekësisë ligjore Besim Imaj dhe Besim Latifaj, që kanë sjellë fakte për vrasjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit.

E njëmbëdhjeta, Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, asnjëherë nuk ka kërkuar të hetohet ish-kolegu i tij, Sylë Hoxha, që në kundërshtim me ligjin, pa u bërë ende analizat nga ekspertët zyrtarë, ka tentuar për dy javë ta mbyllë rastin e Astritit si vetëvrasje.

E dymbëdhjeta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, duke mos kërkuar asnjëherë të hetohen manipuluesit, të cilët që nga fillimi kanë penguar, por edhe tash pengojnë të zbardhet rasti i vdekjes së Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit dhe duke kërkuar që të ndiqet penalisht Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, hapur merr anën e urdhërdhënësit dhe vrasësve të Astritit, që nuk lënë gur pa lëvizur për të ta fshehur të vërtetën për vrasjen e Astritit.

Ne si prindër të Astrit Deharit, duke i pasur parasysh të gjitha këto shkelje, duke e pasur parasysh listën e gjatë të shkeljeve dhe të manipulimeve profesionale e ligjore, sidomos manipulimin e dëshmive dhe dërgimin e dëshmive të manipuluara në Institutin e Lozanës, nuk kemi si të mos vijmë në përfundim se prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, në vend se ta nxjerrë në shesh të vërtetën për vrasjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, shkel ligjin për ta mbrojtur urdhërdhënësin për vrasjen e Astritit dhe vrasësit e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit më 5. 11. 2016.

Rrjedhimisht, ne si prindër të Astritit të vendosur për zbardhjen e rastit dhe për nxjerrjen e personave përgjegjës para drejtësisë ligjore, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse dhe kompetente për ndjekjen e krimit të rëndë – vrasjes, shkarkimin e Afrim Shefkiut nga rasti i Astritit, ndjekjen e tij penale për manipulim, neglizhencë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fshehje të vrasësve të Astritit.

Afrim Shefkiu mund të jetë gjithçka tjetër, por assesi nuk mund të jetë prokuror!
Prindërit e Astritit Xhemile dhe Avni Dehari”.

Rruga Press

YouTube player