Gutierrez shuplakë LDK-së: Manipuloi përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka thënë se është i shqetësuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit për përzgjedhjen anëtarëve të bordit të RTK-së. Ai ka thënë se duket qartë se ka manipulime politike, e veçanërisht nga LDK-ja.
“Kam shqetësime të forta për vlefshmërinë e procesit aktual të rizgjedhjes së bordit të drejtorëve të transmetuesit publik RTK. Mua më duket e qartë se ka pasur manipulime politike, veçanërisht nga opozita e LDK-së, për diskreditimin e padrejtë të kandidatëve të caktuar. LDK do të bënte më mirë të mbronte interesin publik sesa interesat e saj partiake”, ka deklaruar ai.
Javën e kaluar dy deputetët e LDK-së, Armend Zemaj dhe Agim Veliu, votuan me nga katër pikë kandidatët Besnik Boletini, aktualisht kryetar i bordit dhe Arta Berisha nënkryetare. Ndërsa disa nga kandidatët tjerë me nga 100 pikë, duke mos ofruar asnjë arsyetim. Për më tepër atyre u janë bërë pyetje shtesë, e të cilat nuk u janë bërë kandidatëve tjerë.
Lidhur me këtë ka reaguar Lëvizja FOL e cila e ka monitoruar procesin.
Kjo organizatë konsideron që procesi i intervistimit ka qenë i padrejtë, jotransparent dhe shkelje flagrante i parimit të meritokracisë.
“FOL vlerëson se procesi i vlerësimit të kandidatëve nuk kishte trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve gjatë intervistimit. Kandidatëve nuk u janë bërë pyetjet e njëjta gjatë intervistimit, gjë që do të lejonte vlerësim objektiv të të gjithë kandidatëve. Anëtarët aktualë të bordit të RTK-së u janë bërë nënpyetje shtesë, të cilat pyetje sipas vlerësimit tonë ishin pyetje tendencioze”, thuhet në reagimin e FOL.
Duke marrë parasysh që procesi nuk ka shkuar mirë FOL ka kërkuar ripërsëritjen e konkursit.
Rruga Press