Lajme

Kurti për draftin: Është më i avancuar, por s’do të thotë se jemi të kënaqur

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar “pakrahasimisht më të avancuar” draftin për Asociacionin të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa marrëveshjet e mëhershme. Megjithatë, ka shtuar se kjo s’do të thotë që Kosova është e kënaqur me përmbajtjen e draftit.

Ai ka thënë të martën në Pejë se nuk mund të publikojë përmbajtjen e draftit e as letrës së tij me vërejtje, “për hir të konfidencialitetit”.

“Për hir të konfidencialitetit të draftit nuk mund të flasë as për vërejtjet e kritikat e mia. Ato janë shumë të rëndësishme. Ia kam përcjellë emisarit evropian, nëpërmjet zëvendësit tim Besnik Bislimi më 24 tetor, dy ditë para se të takohemi në Bruksel. Ky është draft krejtësisht tjetër, pakrahasimisht më i avancuar, por kjo nuk do të thotë që ne jemi të kënaqur, andaj edhe unë i kam dërguar vërejtjet dhe kritikat e mia”, ka thënë Kurti para gazetarëve në Pejë, nga vizita në Qendrën Nacionale të Xhudos ku përfundoi trajnimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Kurti ka përsëritur se ka ofruar nënshkrimin vetëm në kuadër të pakos dhe jo si dokumente të ndara.

“Kemi thënë që pranojmë ta nënshkruajmë paketën ku bën pjesë Marrëveshja bazë, Aneksi i Zbatimit, dhe gjithashtu edhe draftin për të cilin paraprakisht kemi dërguar vërejtjet, por meqenëse në Bruksel na u tha se është urgjente normalizimi i marrëdhënieve, unë pranova ta nënshkruar me ç’rast nënshkrimi është pranimi, mirëpo vetëm si pjesë të paketës”, ka thënë Kurti duke shtuar se në të ka kërkuar që Kosova ta fitojë statusin e vendit kandidat për BE dhe të nisë rrugën e pranimit në NATO.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

Në fund të tetorit, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takuan liderët evropianë. Kurti u shpreh se ishte i gatshëm t’i nënshkruante dokumentet në pako, duke akuzuar Serbinë se ka refuzuar nënshkrimin. Liderët evropianë pas takimeve kanë bërë publike kërkesën që Kosova të nisë me themelimin e Asociacionit e që Serbia ta jetësojë njohjen de-facto. Disa ditë para takimit, përfaqësues të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në Kosovë sollën draftin për Asociacionin.

Rruga Press

YouTube player