KryesoreLajme

Leposaviqi lëshon hapësira të ndërtesës komunale për regjistrimin e automjeteve

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka njoftuar se do të ofrojnë hapësira të objektit të komunës për zyrtarët e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve dhe Qendrës për prodhim të dokumenteve.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se marrëveshja për ofrimin e hapësirave është nënshkruar gjatë një takimi me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Agjencionit të Regjistrimit Civil, Blerim Camaj.

“Me qëllim të lehtësimit të ofrimit të shërbimeve për qytetarët tanë, kam nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me z. Blerim Camaj, përmes së cilës ofrojmë hapësira të objektit të Komunës për zyrtarët e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve dhe Qendrës së Prodhimit të Dokumenteve. Duke pasur parasysh kërkesat e qytetarëve për këto shërbime, do të punojmë maksimalisht që ato të fillojnë të ofrohen sa më parë të jetë e mundshme”, ka shkruar ai.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Më 30 tetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pronarëve të automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, t’ua shtyjë afatin për riregjistrim në targa RKS, me benefite financiare, deri më 1 dhjetor të vitit 2023.

Qeveria ka thënë se është zgjatur afati pas kërkesave të mëdha së fundi për regjistrim të automjeteve me targa RKS. Me vendimin e 28 tetorit të vitit të kaluar afati ishte deri më 21 prill të këtij viti.

Lexo më shumë  Konjufca: Dhuna ndaj grave nuk luftohet vetëm me institucione

Vendimi i ri, parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës, është thënë nga Qeveria.

Rruga Press

YouTube player