Von der Leyen në Serbi: Implementimi i Aneksit të Ohrit është njohje de-facto e Kosovës
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shpjeguar në Beograd se njohja de-facto e Kosovës nënkupton implementimin e Aneksit të dakorduar në Ohër në mars sivjet.
“Për çfarë bëhet fjalë – për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë pranimin e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe shkon krahas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta zbatojë Kosova”, ka thënë Von der Leyen në një konferencë për media të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur një pyetjeje se çka nënkupton njohja de-facto e Kosovës, që e ka përmendur në Prishtinë një ditë më parë dhe që po e kërkojnë liderët evropianë.
Von der Leyen ka theksuar se një gjë e tillë do t’i hapte rrugë normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ka theksuar, se është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane.
Në anën tjetër, Vuçiqi ka thënë se “njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje për Serbinë” dhe se nuk i vjen turp ta përsërisë para presidentes së Komisionit Evropian.
Rruga Press