Borrelli kritikohet se i fajësoi barabartë Kosovën dhe Serbinë
Me gjithë gatishmërinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ta nënshkruar marrëveshjen bazë dhe planin e ri evropian, përfshirë draftin e statutit të Asociacionit, në Bruksel bënë njëlloj përgjegjëse palët për dështimin për ta arritur marrëveshjen. Në Parlamentin Evropian pati deputetë që kritikuan këtë qasje.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, është kritikuar, pasi ka bërë njëlloj përgjegjëse Serbisë dhe Kosovës për mungesën e një marrëveshjeje mes dy shteteve që synohej të arrihej një ditë më parë në Bruksel. Borrell ndau përgjegjësinë, ani se kryeministri Albin Kurti shprehu gatishmëri që të nënshkruajë planin e ri evropian, përfshirë propozimin e ri për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se, për të pasur sukses në dialog, BE-ja dhe SHBA-ja fillimisht duhet t’i korrigjojnë gabimet e tyre.
“Kjo do të nënkuptonte ribalancimin e politikës ndaj Prishtinës dhe largimit nga Beogradi. Do të thotë gjithashtu të heqësh dorë nga qëllimet tepër ambicioze. Asociacioni dhe madje edhe njohja nëse vjen pas tij nuk janë të realizueshme, e para për shkak të shqetësimeve në Prishtinë dhe e dyta për shkak të shqetësimeve në Beograd. I ashtuquajturi dialog “teknik” që Beogradi dhe Prishtina ndoqën para vitit 2013 ishte shumë më i suksesshëm se dialogu “politik” që erdhi më pas. Ai prodhoi marrëveshje të shumta që synojnë të përmirësojnë jetën si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Disa nuk janë zbatuar plotësisht. Është koha për t’u kthyer në ato. Disa mund të kenë nevojë për rishikim”, ka deklaruar ai.
E, eurodeputeti i Gjermanisë, Reinhard Butikofer, ka pyetur BE-në se si është e mundur që presidenti serb të mos mbahet përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe refuzimin që ta nënshkruajë marrëveshjen.
“Kjo është vërtet interesante: 1. E vetmja pengesë, të cilën Borrell përmend, është Asociacioni. A nuk kishte pengesa nga pala serbe? A është e drejtë të “harrohet” përmendja e të gjitha akteve të fundit të agresionit serb? 2. Kryeministri Kurti tha publikisht se ishte i gatshëm të firmoste gjithçka që BE-ja vendosi në tryezë, ndërsa Vuçiqi refuzoi një gjë të tillë. Pra, pse atëherë Borrelli fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë? 3. A i kujtohet Borrellit që Parlamenti Evropian kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës? Pse nuk flitet për këtë? Sa shumë pyetje” ka thënë Butikofer.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tani ka përgëzuar kryeministrin Kurti, pas pranimit të planit të ri evropian. Por, ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiqi që refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes, nuk ka përdorur atë diskurs akuzues, sikur ndaj homologut e tij të Kosovës, që prej muajsh e ka akuzuar.
“Duke pranuar me mençuri propozimin e BE-së më 21 tetor Kosova sot ndodhet në një pozitë shumë më të mirë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara. Është koha kritike që Serbia të bëjë të njëjtën gjë. Çdo gjë e pranuar dhe dakordësuar deri tani duhet të zbatohet pa vonese”, ka thënë Rama.
Pas dështimit që të arrihet dakordimi për zbatimin e planit të ri evropian, i cili u diskutua ndaras me Kurtin e Vuçiqin të enjten, Borrelli u shpreh se kjo ndodhi për shkak të parakushteve që vendosën palët ndaj njëra-tjetrës.
E sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante Marrëveshjen Bazë, bashkë me planin e pesëshes euro-amerikane, përfshirë draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke theksuar që Samiti i Këshillit Evropian ishte ngjarja dhe vendi i duhur për ta bërë këtë.
Rruga Press