Izraeli intensifikon sulmet ndaj Gazës, paralajmërohet mbyllja e spitaleve në Gazë
Sulmet izraelite ndaj caqeve të Hamasit në Gaza janë intensifikuar gjatë natës dhe mëngjesit të ditës së 19-të të luftimeve.
Nga Qeveria e udhëhequr nga Hamasit thanë se të paktën 80 persona u vranë nga sulmet izraelite gjatë natës. E nga Izraeli theksuan se janë vënë në shënjestër caqet e Hamasit në Gazë, pasi sulmuesit e armatosur të grupit e sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke i lënë të vdekur më se 1 mijë e 400 persona.
Nga sulmet izraelite në krahinën jugore të Sirisë, Dara, u raportua se u vranë tetë ushtarë sirianë dhe u plagosën edhe shtatë të tjerë. Në shënjestër të sulmeve izraelite u vu edhe aeroporti ndërkombëtar i Halepit. Bazuar në raportimin e agjencisë së lajmeve Associated Press, Izraeli ndërmori sulme me dronë edhe në Bregun e pushtuar Perëndimor. Autoritetet shëndetësore në qytetin Jenin njoftuan se aty u vranë tre palestinezë.
E nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Shëndetësi njoftuan se 12 nga 35 spitalet në Gazë dhe 46 klinika të kujdesit shëndetësor janë mbyllur shkaku i dëmeve të pësuara nga sulmet apo nga mungesa e karburantit. Ministria e Shëndetësisë në Gazë paralajmëroi të martën vonë se gjeneratorët për gjenerimin e energjisë elektrike në spitale pritet të ndalojnë së funksionuari brenda 48 orëve të ardhshme, si pasojë e mungesës së karburantit.
Të mërkurën, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdoan, e anuloi vizitën e planifikuar në Izrael, tek pretendoi se Izraeli ka përfituar nga qëllimet e mira të Turqisë. Ai e përshkroi Hamasin si grup çlirimtar që lufton për mbrojtjen e vendit, tek theksoi se ai nuk ka ndonjë problem me shtetin izraelit, por me politikën e saj.
Erdogan e shprehu po ashtu bindjen se akterët jorajonalë duhet të ndalojnë që, siç tha, t’i hedhin benzinë zjarrit, duke e mbështetur Izraelin dhe ftoi vendet myslimane për bashkëpunim drejt arritjes së armëpushimit dhe paqes së qëndrueshme.
Rruga Press