KryesoreLajme

Osmani: Ekziston vetëm një e vërtetë, Kosova ishte viktimë e agresionit të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se Kosova më 24 shtator ishte viktimë e agresionit nga Serbia.

Osmani ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë ishte akt i pastër agresioni i Serbisë ndaj Kosovës.

“Është vetëm një e vërtetë. Kosova ishte viktimë e aktit të agresionit nga Serbia. Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë, për ta penguar integrimin e tyre. Serbia do territorin e Kosovës, të cilin s’do ta marrë kurrë. Kosova është palë konstruktive në dialog, e lista e moszbatimit të marrëveshjeve të Serbisë është shumë e gjatë. Duam zbatim të plotë e të shpejtë të gjitha marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel në shkurt, dhe atë në mënyrë fer e të balancuar”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova kërkon përgjegjësi për sulmin, por Serbia vazhdon ta mohojë.

“Serbia tregoi më 24 shtator se dëshiron luftë, por s’do t’ia ofrojmë këtë. Demokracia e liria gjithmonë ngadhënjejnë. S’ka asgjë që mund t’i qëndrojë para një vendi që e do lirinë. Njerëzit e Kosovës kurrë s’do të heqin dorë nga liria e vetë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se sulmi terrorist më 24 shtator në Banjskë nuk ishte vetëm sulm ndaj Kosovës, por ishte plan për destabilizim të Ballkanit Perëndimor.

“Ishte sulm ndaj demokracisë, lirisë, paqe e stabilitetit që keni ndihmuar ju të nderuar anëtarë të ndërtohet. Duhet të jemi bashkë në këtë. Reagimi i komunitetit ndërkombëtar ishte i bashkuar, duke dënuar pa ekuivok sulmin terrorist në Kosovë. Armët e kapura ishin rrezik për sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe personelin ndërkombëtar në Kosovë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka theksuar se Serbia më 24 shtator kishte tentuar një aneksim të veriut të Kosovës në stil të Krimesë.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

“Pas 24 shtatorit, gjithçka ka ndryshuar dhe shumë gjëra mbeten konstante në të njëjtën kohë. Nga njëra anë, përkushtimi i Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit tonë, promovimin e një sundimi të ligjit dhe demokracisë në avancim, si dhe nxitjen e marrëdhënieve pozitive fqinjësore, mbetet i palëkundur. Nga ana tjetër, vendosmëria e Serbisë për të destabilizuar rajonin për të pushtuar toka dhe për të përsëritur skenarët e Millosheviqit dhe Putinit është në kulmin e saj. Ajo që Serbia priste të ndodhte atë ditë ishte të kishte sukses në planin e saj të stilit të Krimesë për aneksimin e veriut të Kosovës. Por, u kap në befasi nga përkushtimi i palëkundur dhe reagimi profesional i Policisë së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se Serbia ka financuar dy grupet terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” dhe nuk e ka fshehur këtë. Ka përmendur stërvitjet e grupit terrorist të 24 shtatorit në bazat ushtarake në Serbi. Ka përmendur se armët që u kapën në Kosovë në atë sulm, kanë mjaftuar për të armatosur deri 400 ushtarë.

E po ashtu ka folur për strehimin e terroristëve në veri.

Ajo ka thënë se Milan Radoiçiq, që ka pranuar se ka drejtuar grupin që kreu sulmin, vazhdon të endet i lirë në Serbi dhe se është njeriu më i afërt u presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Osmani në fjalim ka përmendur heroin e kombit, policin e vrarë më 24 shtator Afrim Bunjakun.

Osmani fjalimin e nisi duke kujtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Po ashtu edhe shkatërrimet në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Storia e të mbijetuarve të Kosovës është një storie e qëndrueshmërisë, të kthimit të dhembjes në fuqi, të kthimit të agonisë në kontribut pozitiv për shoqërinë, për shtetin e tyre. Viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, nuk zgjodhën vetëm për të mbijetuar por edhe të lulëzojnë. Është storia e tyre, por edhe e Kosovës. Një republikë e lirë, e pavarur, sovrane, demokratike e Kosovës dhe do të jetë e tillë për aq gjatë sa Toka sillet rreth Diellit”, ka thënë Osmani. “Po flas sot si presidente e një shteti që ka humbur rreth 13 mijë njerëz gjatë pak muajve luftë, me mijerë janë të zhdukur, me numrin më të madh të fëmijëve të vrarë për kokë banori në të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, gati çdo shtëpi e shkatërruar, me mijëra të torturuar si të burgosur politik e të luftës, me mijëra të përdhunuar si mjet lufte, me rreth 80 për qind të njerëzve të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Praktikisht çdo gjë të shkatërruar deri në hir. Por, zgjodhëm të ngrihemi, të ngrihemi nga hiri dhe të ndërtojmë jetët tona të ndërtojmë të ardhme ku gjithë njerëzit tanë, pavarësisht prejardhjes, mund të jetojnë në një shtet ku s’ka frikë, diskrimin e propaganda që mund të nxisin dhunë. Një shtet ku parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit janë shtylla kryesore. Dhe shtet që i vlerëson aleancat”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Osmani ka thënë se Kosova ka shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe ka marrë pjesë në dialog, ndonëse Serbia kurrë s’ka kërkuar falje e as s’ka treguar shenja pendimi për krimet e kryera. Osmani ka shtuar se Serbia do që rajoni të kthehet prapa në vitet e 90-ta, porse Kosova s’do të lejojë këtë.

“Republika e pavarur e sovrane e Kosovës është një nga sukseset më të mëdha të njerëzimit, një dëshmi se çfarë demokracisë mund të arrijnë kur qëndrojnë të bashkuar kundër regjimeve autokratike e gjenocidale”, ka thënë Osmani.

Rruga Press

YouTube player