Osmani takoi deputeten Kearns, pret që ajo ta vazhdojë angazhimin ndaj Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur dje në takim deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.
Osmani i ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ngritur vetëdijen për rreziqet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe Ballkani Perëndimor.
Ajo e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar “rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë”.
Osmani ka thënë se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
“Deputetja Alicia Kearns është një avokuese e shquar për Kosovën, ndaj ne presim që edhe më tej, angazhimi i saj të jetë në funksion të prezantimit të gjendjes reale këtu, duke u mbështetur në argumente e fakte, ashtu siç bën vazhdimisht ajo”, ka theksuar Osmani.
Ndërkaq deputetja Kearns theksoi përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes dhe stabilitetit.
Rruga Press