Duka nxjerr bllof Ramën: Për vizitën e Kurtit në stadium ishte lajmëruar protokolli
Kryeministri Edi Rama vijon të fajësojë homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti si shkaktar të ftohjes së marrëdhënieve mes tyre. Qëndrimi i Kurtit larg Ramës në stadium në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Çekisë shkaktoi reagime të shumta. Për kreun e qeverisë së Tiranës, Kurti bëri gjithçka pa lajmëruar as atë dhe as protokollin shqiptar për vizitën.
“Unë nuk merrem me organizimin e protokollit. Unë kisha 3 vendet që kisha vetë dhe vajta u ula në 3 vendet që kisha vetë. Ndërkohë në atë boksin e veçantë, se pastaj pyeta dhe unë… Nuk më kishte lajmëruar askush që Kurti ishte në Tiranë. Fare. As protokolli i Kosovës. Fare. As protokollin e Shqipërisë. Fare.
Në boksin e veçantë ishte jo vetëm Albini, por ishte dhe një pjesë e anëtarëve të qeverisë së Kosovës, ishte zv.Kryeministri i Maqedonisë së Veriut me një pjesë tjetër, ishte dhë zv.kryeministrja jonë me të tjerë. Unë kur shkoj në Kosovë i njoftoj të gjithë dhe kush më pret, kush s’çmë pret, nuk ka problem” – tha Rama në emisionin “Opinion”.
Por një tjetër version ka dhënë Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka në një intervistë për News 24. Ai shprehet se protokolli shtetëror ka qenë i lajmëruar për prezencën në stadium të dy kryeministrave.
“Të dy janë lajmëruar nga protokolli i shtetit shqiptar për të ardhur në stadium. Në kohën kur janë lajmëruar janë akomoduar në vendet më të mirë të mundshme, besoj se kanë qenë akomoduar shumë mirë, mbase miqtë nga Kosova dhe Maqedonia kanë qenë edhe në kushtet më të mira se sa Rama, sepse kanë qenë në kushtet komode të ofruara nga Federata e Futbollit” – tha Duka.
Kjo deklaratë e Dukës duket se nxjerr blof kryeministrin Rama i mohoi që ai apo protokolli të kishte dijeni për praninë e Kurtit në stadium.