Lajme

Gjermania nuk e mbështet idenë e një konference rajonale apo një qasje të re për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi special i qeverisë federale për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se Gjermania nuk e mbështet idenë e një konference rajonale apo një qasje të re për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Eurokativ, i pyetur se çfarë mendonte për idenë e kryeministrit shqiptar Edi Rama për ngritjen e dialogut të mbështetur nga BE në statusin e një “konference” ku përfshihen lojtarët kryesorë, Sarrazin tha se një ide e tillë nuk ka kuptim.

“Unë nuk mendoj se ka kuptim të shpikësh diçka të re pasi e kemi një marrëveshje të mirë,” tha ai

Sarrazin tha se të dyja palët e kanë bërë shumë të qartë, të paktën me fjalët e tyre, se qëndrojnë pranë marrëveshjeve të arritura deri më tani, në veçanti Marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të saj të vitit 2023, raporton Radio Kosova.

“Mendoj se është e rëndësishme që ne të përpiqemi të fillojmë zbatimin dhe të nxjerrim një bilanc pozitiv hap pas hapi në mënyrë që marrëveshja të funksionojë,” theksoi ai.

Sarrazin theksoi se Qeveria federale ishte e vendosur të mbështeste dialogun e sponsorizuar nga BE dhe të ashtuquajturin plan franko-gjerman që është aktualisht në tryezë. Për më tepër, qeveria federale do të mbështeste “fuqishëm” punën e komisionerit të BE-së Miroslav Lajçak, edhe nëse do të kishte kritika dhe shqetësime për qasjen e tij të supozuar të njëanshme.

Lexo më shumë  Murati publikon grafikun për kontratat 'njëburimore' ndër vite: Numri i kontratave njëburimore në mandatin tonë është përgjysmuar

“Nuk ka alternativë tjetër përveç vazhdimit të dialogut dhe përpjekjes për të rifilluar zbatimin e marrëveshjes” tha Sarrazin, i cili u ka bërë thirrje të dyja palëve “që të angazhohen pozitivisht dhe në mënyrë konstruktive në këtë proces”.

Sarrazin shtoi se të gjithë ata që ai njeh në Kosovë, duan t’i përmbahen marrëveshjeve të Ohrit, duke përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe.

“Përshkallëzimi nuk duhet të jetë një mjet për të shkatërruar dialogun shumë lehtë. Palët duhet të kthehen në rrugën për të cilën është rënë dakord dhe nuk do të lihen thjesht të largohen nga dialogu “, tha ai.

Sa i përket sanksioneve të mundshme ndaj Kosovës dhe Serbisë, Sarrazin ka bërë të qartë se sanksionet janë zgjidhja e fundit.

“Sanksionet nuk janë kurrë një rrugë përpara, por ndonjëherë kur ne kërkojmë diçka të qartë, siç bëmë me Kosovën dhe siç po bën tani Bashkimi Evropian me Serbinë, duhet të jetë gjithashtu e qartë se do të ketë pasoja nëse njerëzit nuk na ndjekin. ”

Lexo më shumë  Qeveria iu ndan komunave 15 milionë euro për t’i mbuluar pagat në arsim

Ai shtoi se BE-ja duhet të qëndrojë e vendosur në politikat dhe pritjet e saj dhe se duhet përparim nga të dyja palët.

I pyetur nëse Kosova dhe vendet e tjera në rajon mund të presin që të jenë pjesë e BE-së deri në vitin 2030, datë e propozuar nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Sarrazin tha se Ballkani Perëndimor duhet të jetë njëjtë, pjesë e barabartë e BE-së.

“Nuk ka kuptim të trajtohet rajoni si një grup i rendit të dytë. Duhet të ketë më shumë fleksibilitet gjatë rrugës, me mundësinë e përfitimeve përpara. Megjithatë, nuk duhet të ketë fleksibilitet kur janë në pyetje “standardet për respektimin e vlerave të BE-së”, tha ai

Kur u pyet nëse ai besonte se BE-ja ishte vërtet serioze për zgjerimin dhe nëse momenti kishte arritur nivelin e duhur për të bërë përparim domethënës, Sarrazin ishte shumë i qartë.

“Unë besoj se BE-ja është serioze. Gjermania është shumë serioze. Por një seriozitet I tillë duhet të ekzistojë paralelisht edhe në vendet e rajonit”, theksoi ai.

Rruga Press

YouTube player