Rama e Plenkoviq kërkojnë masa kundër Serbisë për shkak dhunës në Kosovë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviq, i bënë thirrje të hënën Bashkimit Evropian dhe Perëndimit të ndërmarrin masa kundër Serbisë, pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.
Rama, i cili është në një vizitë në Zagreb, tha se agresioni i “forcave paramilitare është po aq shqetësues sa vetë reagimi i Beogradit”, sipas Radio Televizionit të Kroacisë (HRT).
Thirrja e dy liderëve vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë. /REL
Rruga Press