Opinion/Aktualitet

Mbaroi epoka Rama – Vuçiç! Të dy janë në ditë zie!

Shkruan Enver Bytyçi

Nëse lexoni me vëmendje deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për Kosovën, përfshirë dhe këtë të fundit ditën e sotme në konferencë për medie me ministrin e Jashtëm të Italisë, ka një detaj që vihet re: – Ai është i gatshëm të konfrontohet verbërisht me të gjithë, me Borrellin e deri me Vladimir Putin. Por nuk ka guxuar e nuk guxon të përmendë ende emrin e autorit kryesor të situatës së terrorit në Kosovë, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç! Përmend Serbinë, por jo presidentin e saj! Përmend grupin e armatosur, por jo faktin se në këtë grup bëjnë pjesë miq të presidentit serb! Flet për “dite zie” pa kuptim, por nuk pranon të thotë se vendimmarrësi i kësaj ditë-zie është Aleksandër Vuçiç!

Në të kaluarën, para 24 shtatorit Edi Rama ka marrë në shënjestër vazhdimisht Albin Kurtin. Për çdo gjë! Edhe për faje dhe krime të Vuçiçi-it ai ka drejtuar gishtin nga Kurti. Por nuk ka guxuar ta qortojë ose kritikojë mikun e tij në Beograd: – As kur emëroi si shef të shërbimit sekret, spiunin e Rusisë, Vulin! As kur Vuçiç deklaroi se “Zemra ime rreh në Moskë”! As kur Daçiç nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit diplomatik me diplomacinë ruse! Përkundrazi, në Tiranë vendosi në krye të SHIK-ut të dyshuarën për bashkëpunim me Aleksandër Vulin! Dhe u tha liderëve të NATO-s “Mos kërkoni më shumë se duhet nga Aleksandër Vuçiç”!

Këto ditë Edi Rama ka filluar të “skërpurthet” disi lidhur me Kosovën. Po sheh se ditë pas dite po i këputën fijet me Aleksandër Vuçiç. Kjo do të thotë se Rama dhe Vuçiç kanë ardhur në pushtet si pako e Perëndimit dhe po largohen përfundimisht po ashtu si pako anti- perëndimore! Sinjali i parë i fundit të tyre ishte shkëputja nga grupi treshe i Hashim Thaçit! Kur Thaçit iu komunikua akt-akuza e prokurorisë Speciale dhe më pas u arrestua mori goditje projekti i çmendur i shkëmbimit të territoreve, ose ndarjes së Kosovës. Ndodhi kjo para tri vitesh! Goditja e dytë dhe e pakthyeshme ishte koha kur Open Balkan u shpall si dështuar! Them i dështuar, sepse ai lindi pa kokë, pa zemër e pa krahë dhe një trup pa këto elementë nuk mund të vdesë! Thjesht lind pa jetë! Në të nuk u bashkuan asnjëherë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Dështimi i këtij Projekt serb krijoi ndarjen e dytë të madhe midis pakos dyshe të autokratëve ballkanikë të promovuar me aq entuziazëm e bujë edhe nga Merkel, Macron dhe SHBA! Por kjo dyshe e shfaqi aleancën e saj deri në momentin e fundit. Kur Albin Kurti promovoi kryetarët e komunave në veri qershorin e këtij viti, Edi Rama ishte i pari që politikisht e rrethoi kryeministrin e Kosovës dhe Kosovën me sanksione. Ia anuloi edhe mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të planifikuar për datën 26 qershor në Gjakovë! Madje një natë më parë, pasi ishte përgatitur e dekoruar salla e kësaj mbledhjeje! Pa kurrfarë arsyeje! Pa asnjë konsultim paraprak! Thjesht për të dërguar mesazhin se ishin Rama dhe Vuçiç në aleancë me njëri-tjetrin që mund e duhej ta bënin ligjin në rajon dhe në Kosovë!

Kryeministri i Kosovës nuk nxori “broçkulla” nga goja. Thjesht e refuzoi kryeministrin e Shqipërisë. Ndërkohë aktin terrorist të komandove serbe në Zveçan zoti Rama po e përjeton si fundin e tij politik sa i përket ndikimit të tij në rajon. Për këtë arsye deklarata e tij e sotme në prani të zotit Tajvani shihet si manovrim politik për të dhënë mesazhe se “ai ka ende ndikim” në zhvillimet rajonale. “Ne nuk pranojmë”! “Ne duam”! “Ne kërkojmë”! Këto janë pohimet e tij në formë paternalizmi që ai parashtroi sot. Duket qartë se ai nuk ka asnjë rol më! Nuk i plas askujt as në rajon, as në Kosovë e madje as në Evropë e në SHBA, nëse pranon ose jo Edi Rama! Nëse do ose jo Edi Rama! Nëse kërkon apo jo Edi Rama! Tashmë faktori kryesor i të gjitha zgjidhjeve dhe kërkesave, interesave dhe vendimmarrjeve është Albin Kurti. Nuk ka asnjë rol më as vetë partneri i Kurtit në dialog dhe miku i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç!

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Në këto kushte kryeministri i Shqipërisë vetëm se vjen vërdallë të gjejë ndonjë vrimë miu, nga ku mund të zvarritet edhe më tej si njeri influencues në rajonin tonë. Ditë të këqija po kalon. Në këto ditë të këqija ai ndan fatkeqësinë e tij vetëm me aleatin e një dekade, Aleksandër Vuçiç! Të dy janë në ditë zie! Kanë humbur jo vetëm prestigjin, por edhe çdo lloj ndikimi në zhvillimet rajonale. Po afron dita e samitit të Procesit të Berlinit dhe atë ditë ai do të duket shumë i vogël përballë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti! I iku shansi që të luajë kukafshehtazi me homologun e tij kosovar. Ashtu siç i iku shansi Aleksandër Vuçiç të guxojë e ta shohë në sy Albin Kurtin!

Ato maja rripa- rripa……

Rruga Press

YouTube player