Kurti: Është jetike ringjallja e pluralizmit politik në mesin e serbëve të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se sulmi i të dielës në Banjskë ka dëshmuar për rrezikun, qëllimin dhe potencialin e grupeve kriminale e terroriste serbe në veri.
Ai ka thënë se në Banjskë u konfiskua sasi e armatimit me vlerë mbi 5 milionë euro.
Kurti ka thënë se të dielën u cenua sovraniteti i shtetit, integriteti dhe siguria kombëtare.
Ai u ka propozuar të gjithë qytetarëve të Kosovës të falënderojnë policinë e Kosovës kudo që t’i takojnë.
“Përballë kësaj u dëshmua profesionalizimi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i plotë për ta mbrojtur Republikën. Është suksesi më i madh që nga shpallja e pavarësisë, sukses që na bën krenar të gjithëve. Andaj sot ju ftoj të gjithëve këtu, gjithë qytetarët e Kosovës, të falënderojnë policinë në uniformë kudo dhe kurdo që i shohin”, ka thënë Kurti.
Ai po ashtu ka thënë se sulmi ka shfaqur nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në mbrojtjen e kontrollin e kufirit me Serbinë.
“E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur me gjuhë të qartë e të përveçme e kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Kurti.
Ai ka thënë se pas dokumentimit për pjesëmarrjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në sulmin në Banjskë, është vërtetuar edhe se është jetike ringjallja e pluralizimit politik për serbët e Kosovës.
“Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm”, ka thënë Kurti.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se pos marrjes së jetës së policit Afrim Bunjaku, sulmi i armatosur ndaj Kosovës ka pasur qëllim edhe dëmtimin e marrëdhënieve ndërfetare e ndëretnike në Kosovë, pasi grupi që kreu aktin shfrytëzoi Manastirin e Banjskës në Zveçan.
Siç ka thënë ai, ka dëme të mëdha në këtë manastir.
Ai ka thënë se Qeveria po pret krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet të dalin në terren për të vlerësuar dëmet.
Rruga Press