Sport

Llogaritë e kualifikimit, sa pikë na duhen për të kapur Gjermaninë

Fitorja me Poloninë i dha Kombëtares vendin e parë në grup. Rezultati 2-0 na vendosi në avantazh përballë ekipit të udhëhequr nga Lewandowski, dhe në përballjet direkte pas humbjes minimale në Varshavë.

Me 10 pikë pas pesë ndeshjeve, Shqipëria hodhi hapin më të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën finale të Euro 2024. Për një grup me 5skuadra si ky i yni, pragu për të luajtur në turneun në Gjermani është të paktën14 pikë, por garancia maksimale mbetet grumbullimi i 15 pikëve.

Nga tre ndeshjet e mbetura kualifikuese, Kombëtarja i luan dy në shtëpi. Më 12 tetor kuqezinjtë presin Republikën Çeke. Rrugëtimi mbyllet me ndeshjet në transfertë ndaj Moldavisë më 17 nëntor dhe kundër Ishujve Faroe më datë 20 në Arenën Kombëtare.

Nëse ndaj çekëve do të kërkohet rezultat pozitiv, ku edhe barazimi na kënaq, finalja e vërtetë tashmë do të jetë me Moldavinë, e cila është ngjitur në kuotën e tetë pikëve dhe lufton për vendin e dytë. Në anën tjetër, Ishujt Faroe janë rivali më modest i grupit kualifikues dhe tre pikët janë detyrim.

Me llogari të thjeshta, dy barazime dhe një fitore në fund, 20 nëntori në Tiranë do të kthehej në një ditë feste për të gjithë shqiptarët, me Kombëtaren që do të siguronte pjesëmarrjen e dytë në Kampionatin Europian.

Rruga Press

YouTube player