Argument

Shqiptarët mund të mburren me të kaluarën e tyre, më shumë se çdo komb i ballkanit dhe Evropës

Nga Lirim Gashi

Vëllezër dhe motra, ne shqiptarët jo vetëm që nuk kemi as më të voglën arsye për t’u ndjerë inferiorë ndaj popujve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës, por jemi edhe i vetmi komb në të gjithë kontinentin që mund të mburremi se ushtarët dhe policët tanë nuk kanë shkelur kurrë më këmbët e tyre mbi tokën e huaj, e lëre më të masakrojnë fëmijë dhe pleq të kombeve të tjera apo të përdhunojnë gratë e tyre.

Përkundrazi, shqiptarët ishin viktima të brutalitetit të paparë të Perandorisë Romake, viktima të çmendurisë sllave dhe greke gjatë Bizantit, viktima të gjenocideve fizike, kulturore dhe arsimore gjatë Perandorisë Osmane, viktima të padrejtësive dhe diskriminimit të paparë gjatë sundimit të Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene, viktima të politikave gjenocidale serbe gjatë Jugosllavisë Mbretërore dhe viktima të reprezaljeve të paimagjinueshme klerofashiste dhe pseudokomuniste gjatë Jugosllavisë së Rankoviqit.

Ne shqiptarët e Kosovës patëm vetëm një pushim të shkurtër nga gjenocidet e njëpasnjëshme ndërmjet viteve 1968 dhe 1980, pasi kushtetuta e vitit 1974 na lejoi që të kishim përfaqësuesit tanë politikë drejtpërdrejt në organet federale.

Megjithatë, ne gjithmonë kemi qenë viktima të analfabetizmit, injorancës dhe pandjeshmërisë sonë të thellë ndaj asaj që është e mirë dhe e keqe për ne.

Delegatët kosovarë në Kuvendin e RS të Serbisë, të cilët votuan në vitin 1972 për largimin e dyshes liberale Marko Nikeziq dhe Latinka Peroviç nga pushteti, i ranë me thikë pas shpine popullit të tyre, sepse ata ndihmuan delegatët ultranacionalistë serbë të ktheheshin në pushtet përmes bijve politikë të Aleksandër Rankoviqit famëkeq.

Emrat e tyre ishin Drazha Markoviq, Dushan Çkrebiq, Petar Graçanin dhe Nikolla Ljubiçiq dhe ishin pikërisht ata që i hapën rrugën Sllobodan Millosheviqit për të ardhur në pushtet.

Duhet pranuar se i vetmi nga këta katër politikanë që shprehimisht u shpreh kundër ardhjes së Millosheviqit në pushtet ishte Drazha Markoviq, i cili e njihte këtë të fundit më mirë se kushdo tjetër, sepse ishte xhaxhai i shtrigës së tij Mirjana Markoviq.

Nëse mund të flasim për periudhën e vetme kohore kur shqiptarët patën një shans real për t’u barazuar disi me serbët, atëherë ajo ishte koha kur në pushtet erdhi tandemi Nikeziq dhe Peroviç.

Latinka Peroviç ishte një grua e mrekullueshme dhe një intelektuale kulminante, ndaj i sugjeroi Titos që të njihte shqiptarët si komb, ashtu siç i njohu maqedonasit menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse ata ishin bullgarë sllavë që nuk kishin lidhje farefisnore me pjesëtarët e fisit ilir maqedonas të Aleksandrit të Madh dhe babait të tij Filipit.

Rruga Press

YouTube player