Policia asistoi AKP-në për t’u futur në një fabrikë në Zubin-Potok
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se të premten kanë asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) për t’u futur në një fabrikë në Zubin-Potok.
Sipas Elshanit AKP-ja pretendon se ka një pronë aty dhe ka dashur që t’i verifikojë pajisjet që gjenden në të.
Ai ka thënë se asistimi që Policia u bën institucioneve të ndryshme në veri nuk është i jashtëzakonshëm.
“Unë mund ta them se normaliteti është duke u kthyer, si u përket institucioneve apo agjencive të ndryshme të Republikës së Kosovës në veri. Ne sot kemi asistuar AKP-në, por ka pasur raste kur kemi asistuar ATK-ën e Inspektoratin komunal, Federatën e Peshkatarëve kur kanë kërkuar asistencën tonë në ‘Ujman’, nuk është diçka e jashtëzakonshme”, ka theksuar Elshani.
Ai ka thënë se kjo është hera e dytë që kanë asistuar AKP-në në atë fabrikë.
“Ne kemi pranuar një kërkesë nga AKP-ja, para disa ditëve dhe sot kemi ofruar asistencën tonë, do të thotë kanë qenë njësitë e veriut që kanë asistuar në atë vend. Sipas AKP-së ata kanë pronë aty dhe kanë shkuar që të verifikojnë disa pajisje aty. Është hera e dytë që në kemi asistuar AKP-në në atë vend, sepse herën e para ka qenë e mbyllur dhe sot kanë kërkuar që të hapet me forcë, ajo është hapur është duke u verifikuar nga ana e AKP-së”, ka theksuar Elshani.
Rruga Press