Dhunα në familje, Haxhiu: Gjykatat ta trajtojnë me seriozitet çështjen e ndëshkueshmërisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dy institucione nuk po bashkëpunojnë për strategjinë kundër dhunës në familje.
Ajo ka theksuar se pret që “Këshilli Gjyqësor ta trajtojë me seriozitet çështjen e ndëshkueshmërisë” ndaj kryesve të krimit.
“Në këtë drejtim e kemi miratuar strategjinë nacionale kundër dhunës në familje dhe fokusi është të zbatohen rekomandimet. Kemi dy institucione që nuk kemi hasur në mirëkuptim për implementimin e rekomandimeve. Nga janari deri në gusht kemi përfitues nga ndihma juridike. Kemi hequr procedurat burokratike për kompensimin e viktimave të krimit. Kemi bërë ndryshime në kodin penal kemi adresuar dënime plotësuese. Kemi organizuar fushata sensibilizuese. Jemi duke adresuar pakon për punësimin e grave viktima që presim të lansohet gjatë 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në familje. Kemi mbështetur strehimoret me afër 1 milionë euro që është mbështetja më e madhe që u është dhënë strehimoreve”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka deklaruar se pret që rastet e dhunës të trajtohen siç duhet nga të gjitha institucionet, ashtu siç trajtohen nga Policia.
“Uroj që ta kemi lajmin e njëjtë që qytetarët tu besojnë njëjtë prokurorive e gjykatave ashtu si Policisë. U përmend që është në rritje numri i rasteve. Mendoj që është rritur raportimi edhe për shkak të punës së organizatave të shoqërisë civile. Konsideroj që për shkak të fushatave sensibilizuese e punës së institucioneve është rritur raportimi vetëm unë shpresoj që kur raportohet dhuna ta merr edhe trajtimin e nevojshëm nga institucionet tjera. Jam optimiste që do të arrijmë t’i reformojmë qendrat për punë sociale. Pres prokurorinë që t’i mbështesin me prova aktakuza”, shtoi Haxhiu.
Sabit Sadikaj, gjyqtar në Gjykata Themelore në Prishtinë, ka thënë se gjykata i trajton me prioritet rastet e dhunës në familje. Ka shtuar se gjykata jep dënimin meritor aq sa i takon kryesit me kodin e procedurës penale.
“Edhe aktakuzat nuk janë të hartuara keq sepse besojmë që edhe prokuroria edhe policia janë të specializuar në këtë fushë. Gjykata i aplikon dënimet brenda minimumit dhe maksimumit që e lejon kodi i procedurës penale. Mendoj që gjykata i jep dënimet meritor,e as të ulëta as të larta, por në proporcion me veprën. Në shumicën e rasteve gjykata e aplikon paraburgimin. Nëse viktima dhe kryesi i kanë dy vendbanime lejohet edhe masa e arrestit shtëpiak”.
Rruga Press