Lajme

BIRN: Rama bën “kurban” edhe një ministre tjetër. Krifca largohet pas skandαlit të pezullimit të fondeve nga BE

Pas një fjalimi të gjatë në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama vendosi të largojë pesë ministre nga kabineti i tij qeveritar, ndërsa përsëriti premtimin se ai dhe Partia Socialiste nuk do të mbronin asnjë pushtetar që do të përballet me drejtësinë.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ajo e Bujqësisë, Frida Krifca, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali si dhe ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ikonomi nuk do të jenë më pjesë e Këshillit të Ministrave.

Xhaçka ka shërbyer në qeveri prej vitit 2017, si ministre e Mirëqenies Sociale, e Mbrojtjes dhe së fundmi në krye të diplomacisë.

Vitin e fundit, Xhaçka po përballet me kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të deputetit pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, u shpall investitor strategjik nga qeveria. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të drejtohet nga Igli Hasani, një diplomat karriere, ish-ambasador, aktualisht koordinator i OSBE-së për ekonominë dhe klimën.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

Edhe Frida Krifca ikën nga Bujqësia pak muaj pasi Bashkimi Europian njoftoi pezullimin e fondeve IPARD në bazë të dyshimeve për korrupsion nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, e drejtuar më parë prej saj.

Në vend të Krifcës, Rama rikthen në kabinet deputeten Anila Denaj, që më herët ka drejtuar ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Rama njoftoi gjithashtu se kishte zhvendosur Olgerta Manastirliun nga Ministria e Shëndetësisë në atë të Arsimit. Manastirliu e drejtonte këtë dikaster që nga vitit 2017, ndërkohë që do të zëvendësohet nga Albana Koçiu, drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj shkarkohet nga kjo detyrë për t’iu  besuar një ministri më e vogël dhe pa portofol, si ajo e Sipërmarrjes. Në krye të Financave, Rama emëroi Ervin Meten, ish-zëvendësministër në këtë dikaster, që mbante aktualisht postin e drejtorit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Kryeministri njoftoi krijimin e një ministrie të re pa portofol, që sipas tij do të koordinojë punën mes pushtetit qendror dhe atij vendor, duke marrë në kabinet për këtë detyrë nënkryetarin e bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku.

Ndryshimet vijnë në një moment kur në mandatin e tretë qeverisës, PS po përballet me skandale korrupsioni dhe me dosje hetimore që përfshijnë ministra apo ish-ministra.

Në fjalimin e gjatë para socialistëve, Rama nuk dha arsyet që e çuan drejt këtyre ndryshimeve, por pranoi se partia që ai drejton ndodhet përpara një sprove të vështirë, atë të përballjes me drejtësinë, të cilën tha se do ta kalojë ‘gjallë, a vdekur’.

Ai tha se nuk i kishte asnjë borxh askujt që futej në borxh me këtë drejtësi, pavarësisht se sipas tij, edhe ajo ishte e gabueshme.

Marrë me shkurtime nga BIRN

Rruga Press

YouTube player