Lajme

Mbi 1600 të zhdukur pas luftës në Kosovë, përshkrimi i VOA: Beteja për të zbutur dhimbjen

Pothuajse një çerek shekulli pas luftës në Kosovë, mbi 1,600 vetë, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Njëri prej tyre është edhe bashkëshkorti i Fahrije Hotit, një nga dhjetëra gra të veja në Krushë të Madhe, një fshat 90 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Për të zbutur dhimbjen e humbjes, zonja Hoti themeloi një kooperativë bujqësore, që merret me prodhimin me ajvarit dhe produkteve tjera artizanale.

Ajo punëson rreth 50 gra të Krushës.

Pothuajse të gjitha janë gra të veja, bashkëshortët e të cilave dhe familjarët e tjerë meshkuj, ishin në mesin e 243 burrave që policia serbe dhe njësitë paramilitare i kishin marrë me forcë, një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në mars të vitit 1999. 64 prej tyre janë ende të zhdukur.

“Në vitet e 90, jam martuar në fshat, në Krushë. Ka qenë një fshat paqësor, kanë qenë njerëz punëtorë, të afërt, të dashur. Më 1999, gjithçka u shkatërrua. Erdhën serbët, plaçkitën, vranë njerëz, dogjën shtëpi, i lanë shumë fëmijë pa prindër. Ndryshoi gjendja në fshatin tonë 100 për qind. Mua si familje më vranë burrin, sot figuron i zhdukur, tre anëtarë të familjes së ngushtë, 11 familjarë të dytë të axhallarëve, ndërsa 60 e ca, kryesisht të familjes Hoti. Gjendja në fshat ndryshoi; mbetëm të veja,” thotë zonja Hoti.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Pas luftës, zonja Hoti, tani 52 vjeçare, filloi angazhimin për të gjetur burrat e zhdukur dhe në vitin 2005, me disa gra të tjera, filloi të përgatisë ajvar.

“Unë si Fahrije, i organizova protestat, i organizova disa aktivitete brenda fshatit, kryesisht për gra të veja. Ndërsa në 2005, pasi që sërish vazhduam të mbjellim dhe kultivojmë tokat tona, të burrave – unë isha me vjehrrin dhe fëmijët e vegjël – dhe fillova të konzervoj dhe të angazhoj gratë, ndoshta jo për gjendjen ekonomike dhe financiare, sepse përfitimin ishte dhe sot nuk është kushedi sa i madh, por ka qenë më shumë socializim i grave. Jo për t’i harruar njerëzit që janë vrarë, por për ta tejkaluar dhimbjen dhe të marrin jetën në dorë. Të rrisin fëmijët, të shkollojnë fëmijët, të edukojnë fëmijët. Thjesht, të mbulojnë atë pjesën e baballarëve që ju kanë munguar fëmijëve, ta luajnë rolin e dy prindërve, nanë dhe babë. Edhe ta ngrisim ekonominë, sepse çdo gjë ishte e shkatërruar,” thotë zonja Hoti.

Në vitin 2010, zonja Hoti regjistroi Kooperativën Bujqësore Krusha, që punëson gratë, të cilat përgatisin dhe shesin mbi 60 produkte të ndryshme. Me të ardhurat nga to, ato mbajnë familjet dhe shkollojnë fëmijët e tyre.

Kjo sipërmarrje e vogël u ka sjellë mbështetje financiare shumë të nevojshme familjeve të të vejave, si edhe u ka rikthyer një ndjesi të jetës para luftës.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

“Fshati ynë është kthyer në gjendjen e mëparshme sa i përket ekonomisë, sa i përket punës, por ndoshta na mungon ajo pjesë… Fshatit i mungojnë edhe 64 persona të pagjetur. Në mesin e tyre është edhe burri im. Kjo është mungesë e çdo familjari ndoshta në gjithë Kosovën dhe çdo kund ku ka luftë,” thotë zonja Hoti.

Sadbere Hoti, punon në kooperativë. Katër anëtarë të afërt të familjes së saj janë vrarë në vitin 1999. Ajo nuk mund të flas për ta.

“Në luftë, dihet, në fshatin Krushë, ka ndodhur një tragjedi e madhe. Kemi pasë trauma të mëdha, por falë kësaj pune dhe Fahrijes, ne na ka ndihmuar shumë,” thotë ajo.

Përveç anës sociale dhe ndihmës financiare, gratë kanë fituar tani dhe famë.

Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli, që ka fituar shumë çmime, përshkruan jetën e Hotit dhe kooperativës së saj. Filmi shënoi histori kur u shpërblye me tre çmimet kryesore në festivalin Sundance, dhe vitin e kaluar u radhit mes filmave ndërkombëtarë kandidatë për çmimin Oskar në këtë kategori.

Mbi 10,000 njerëz u vranë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999, shumica e të cilëve shqiptarë të Kosovës. Rreth 1 milionë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe, para se ndërhyrja e NATO-s të detyronte Serbinë të tërhiqej nga Kosova./VOA

Rruga Press

YouTube player