Euro arrin nivelin më të lartë në dy muaj
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të mërkurën me 107.63 lekë, niveli më i lartë që prej datës 19 qershor.
Brenda një dite, kursi i këmbimit të Euros është rritur me 1.61 lekë, ndërsa që nga data 20 korrik, kur preku minimumin historik prej 100.49 lekësh, Euro është forcuar me 7.1%, duke dëshmuar një luhatshmëri tejet të lartë për një periudhë kohore kaq të shkurtër.
Forcimi i Euros ka rimëkëmbur edhe kursin e valutave të tjera kryesore.
Dollari Amerikan po i afrohet kufirit të 100 lekëve dhe u këmbye të mërkurën me 99.48 lekë, në rritje të fortë me 2.21 lekë brenda një dite. Dollari ka prekur nivelin më të lartë që prej datës 7 qershor.
Paundi Britanik arriti kuotën e 125.97 lekëve, niveli më i lartë që prej datës 23 qershor.
Agjentët e tregut valutor e shpjegojnë rritjen e ndjeshme të euros me një kërkesë në rritje gjatë javëve të fundit, veçanërisht në segmentin e bizneseve. Megjithatë, sipas tyre, kjo rritje ka edhe një dimension psikologjik, duke bërë që subjektet e kursit të fillojnë të krijojnë disa pritshmëri të caktuara. Gjallërimi i kërkesës për Euro ka shtuar disi pritshmëri për rritje të kursit, duke nxitur kërkesën dhe duke shtrënguar ofertën e monedhës europiane.
Tregu valutor ka kaluar faza të tilla afatshkurtra disa herë gjatë këtij viti, të karakterizuara nga një ringritje e shpejtë e kursit të këmbimit Euro-Lek. Edhe në këtë rast, një rritje kaq e madhe ditore e Euros zor se mund të shpjegohet me dinamika normale të kërkesës dhe ofertës, por më shumë me një fazë paniku, që tashmë po bëhet pak a shumë e zakonshme, edhe për shkak të luhatshmërisë së lartë që ka shfaqur kursi i këmbimit të Euros këtë vit.
Këtë vit, pozitat e forta të lekut në kursin e këmbimit kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në zbutjen e presioneve inflacioniste dhe në mbajtjen e niveleve më të ulëta të normave të interesit krahasuar me Eurozonën.
Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i kursit të Lekut ka ardhur kryesisht si rezultat i përmirësimit të Bilancit të Pagesave dhe shtimit të flukseve valutore hyrëse, veçanërisht nga turizmi. Një ringritje e kursit në teori do t’i shtojë këto presione dhe mund të diktojë një shtrëngim të politikës monetare në vjeshtë.
Ringritja e Euros rrit gradualisht kostot për huamarrësit në valutë të huaj, paralelisht edhe me rritjen e normave të interesit në monedhën europiane.
Ndërkohë, forcimi i Euros për momentin iu jep frymëmarrje eksportuesve, që këtë vit kanë pësuar humbje të konsiderueshme si rezultat i kursit të këmbimit.
Megjithatë, nëse është e vërtetë se forcimi i Lekut gjatë këtij viti ka qenë i motivuar kryesisht nga faktorët fondamentalë të tregut, siç vlerëson Banka e Shqipërisë, për momentin është e vështirë të mendohet se këta faktorë po ndryshojnë papritur dhe rritja e fortë e ditëve të fundit ka më shumë tiparet e një faze kalimtare paniku./MONITOR
Rruga Press