India shkruan historinë, anija e saj kozmike zbarkon në polin jugor të Hënës
Anija kozmike Chandrayaan-3 ka zbarkuar në sipërfaqen hënore, duke e bërë Indinë vendin e parë në histori që me sukses arrin në polit jugor të Hënës.
Të gjitha misionet e kaluara në Hënë kanë mbërritur në ekuator, por eksplorimi i polit jugor është çelësi për të gjetur ujë.
“India shkon drejt Hënës”, thoshte më 23 gusht titulli i faqes së parë të gazetës The Times of India, pasi ky mision po i dominon mediat në Indi aktualisht. “Është Dita D për Misionin e Hënës”, shkroi Hindustan Times.
Një përpjekje e mëparshme e Indisë për këtë mision kishte dështuar në vitin 2019. Përpjekja e re vjen vetëm disa ditë pasi misioni i parë i Rusisë në Hënë në pothuajse 50 vjet, i destinuar për të njëjtin rajon, u rrëzua në sipërfaqen hënore.
Por, ish-shefi i hapësirës indiane, K. Sivan, tha se fotot më të fundit të transmetuara nga anija dhanë shenja se edhe pjesa e fundit e udhëtimit drejt polit jugor të Hënës do të kishte sukses.
“Po na jep njëfarë inkurajimi që ne do të jemi në gjendje ta arrijmë misionin e uljes pa asnjë problem”, i tha ai agjencisë së lajmeve AFP.
Sivan shtoi se Organizata Indiane e Kërkimeve Hapësinore (ISRO) kishte bërë korrigjime pas dështimit të katër viteve më parë, kur shkencëtarët humbën kontaktin me anijen kozmike disa momente para uljes së planifikuar.
Misioni u nis gati gjashtë javë më parë para mijëra spektatorëve, por kësaj anije kozmike iu desh shumë më shumë kohë për të arritur në Hënë sesa atyre të misioneve Apollo të viteve 1960 dhe 1970, të cilat mbërritën brenda pak ditësh.
India po përdor raketa shumë më pak të fuqishme se ato që përdornin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në atë kohë, që do të thotë se sonda duhet të rrotullohet disa herë në Tokë për të fituar shpejtësi përpara se ta nisë trajektoren e saj hënore njëmujore.
Tokëzuesi i anijes kozmike, Vikram, u shkëput nga moduli i tij shtytës javën e kaluar dhe ka dërguar imazhe të sipërfaqes së hënës që nga hyrja në orbitën hënore më 5 gusht.
Një ditë përpara uljes, ISRO-ja tha në rrjete sociale se ulja po vazhdonte sipas planit.
“Lundrimi i qetë po vazhdon”, postoi agjencia në platformën X, të njohur më parë si Twitter.
India ka një program relativisht të vogël të hapësirës ajrore, por ky program është rritur ndjeshëm që kur vendi dërgoi për herë të parë një sondë në orbitën e Hënës në 2008.
Ky mision i fundit i kushtoi Indisë 74.6 milionë dollarë, shumë më pak sesa vendeve të tjera.
Ekspertët thonë se India mund t’i mbajë kostot e ulëta duke kopjuar dhe përshtatur teknologjinë ekzistuese hapësinore dhe falë numrit të madh të inxhinierëve shumë të aftë që paguhen më pak sesa homologët e tyre të huaj.
Në vitin 2014, India u bë vendi i parë aziatik që vendosi një satelit në orbitë rreth Marsit dhe ka planifikuar ta nisë një mision tre-ditor me njerëz në orbitën e Tokës deri në vitin e ardhshëm.
Sivan, ish-shefi i ISRO-së, tha se përpjekjet e Indisë për ta eksploruar polin jugor hënor do të jepnin një kontribut “shumë, shumë të rëndësishëm””në njohuritë shkencore.
Vetëm Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur ulje të kontrolluar në sipërfaqen hënore në të kaluarën.
Rusia nisi sondën e saj hënore më herët në gusht, të parën për pothuajse një gjysmë shekulli. Nëse do të ishte i suksesshëm, do ta kishte mundur Chandrayaan-3 vetëm për pak ditë në misionin për t’u bërë vendi i parë në botë që bën një ulje të kontrolluar rreth polit jugor hënor.
Por, sonda Luna-25 u rrëzua më 19 gusht pas një incidenti të paspecifikuar teksa po përgatitej për ulje.
Sanksionet që nga fillimi i luftës në Ukrainë kanë ndikuar në industrinë hapësinore të Rusisë, e cila gjithashtu ka qenë e rrethuar nga korrupsioni dhe mungesa e inovacionit dhe partneritetit.
Rruga Press