Kjo është mënyra më e mirë për të shuar shpejt etjen
Uji është padyshim pija më e mirë për të shuar etjen. As lëngjet, as pijet freskuese apo birra nuk janë opsione të mira për t’u hidratuar. Të gjithë specialistët bien dakord njëzëri se uji është strategjia më e mirë për të siguruar hidratimin e duhur, veçanërisht në verë dhe, në fakt, të gjitha fushatat dhe udhëzimet kundër valëve të të nxehtit këmbëngulin që të pimë sa më shpesh ujë.
Megjithatë, ka disa aspekte që lidhen me konsumin e tij që duhen “akorduar” për të përfituar maksimumin prej tij si opsioni i preferuar për të rihidratuar dhe freskuar trupin, siç thotë Guadalupe Blay, drejtuese e Endokrinologjisë dhe Ushqyerjes së Shoqatës Spanjolle e Mjekëve të Përgjithshëm dhe të Familjes (SEMG).
“Uji duhet të konsumohet në një temperaturë ndërmjet 15 dhe 20ºC (domethënë në temperaturën e dhomës). Pirja e tij shumë e ftohtë favorizon zbrazjen e stomakut dhe gjithashtu bën që trupi të përpiqet të përshtatet me temperaturën e arritur pas pirjes së ujit nëse është shumë i ftohtë. Pasoja e kësaj është se do të na duhet më shumë kohë për t’u hidratuar, sepse ai arrin në qarkullimin e gjakut më vonë”.
Lidhur me sasinë e ujit që duhet pirë, Dr. Bay shpjegon se kjo varet nga karakteristikat e çdo personi (nëse jeni burrë apo grua, pesha juaj trupore…), “por rekomandimi i përgjithshëm është afërsisht 8 gota ujë në ditë, edhe pse padyshim në raste të caktuara, siç janë gratë shtatzëna, nëse bëhen ushtrime fizike ose te personat që janë në një situatë vulnerabiliteti, konsumi duhet të jetë pak më i lartë. Në pjesën tjetër të popullsisë, mesatarja e përgjithshme është tre litra e gjysmë në ditë për burrat dhe dy litra e gjysmë për gratë”.
Uji i gazuar është një pije që preferohet shumë, me njerëz të cilët gjejnë një alternativë për pijet alkoolike, për shembull. Për Guadalupe Blay, është një zgjedhje shumë e rekomanduar: “Është një pije freskuese e cila prodhon ngopje, ndihmon në tretjen e proteinave dhe është një opsion i mirë kur doni të humbni peshë. Megjithatë, te personat me patologji gastrointestinale (sëmundja e Crohn, sëmundja celiac ose koliti ulceroz) uji i gazuar mund të favorizojë ënjtjen e barkut”.
Rruga Press