Bota

Çfarë është ‘RICO’, ligji kundër mafias që po përdoret ndaj ish presidentit Trump

Prokurorja e qarkut Fulton në shtetin e Xhorxhias, Fani Willis, i filloi hetimet ndaj Donald Trump-it, pas bërjes publike të një bisede telefonike në janar të vitit 2021, midis ish presidentit dhe Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger.

Ish presidenti Trump i kërkoi gjatë bisedës Sekretarit të Shtetit, një politikan republikan dhe zyrtari më i lartë i shtetit për zgjedhjet, që “t’i gjente” votat e nevojshme për të përmbysur fitoren e ngushtë të rivalit të tij demokrat Joe Biden.

Më shumë se dy vjet më pas, aktpadia e ngritur të hënën nga juria e madhe, shkon shumë më tej se sa telefonata, me akuza për një rrjet të tërë krimesh të kryera nga zoti Trump dhe aleatë të tij.

Prokurorja Willis, po shfrytëzon ligjin e shtetit të Xhorxhias për “Organizata të Korruptuara nën Ndikimin e Krimit të Organizuar”, i njohur si ligji ‘RICO’, për të akuzuar Trump-in dhe 18 të pandehur të tjerë, nën dyshimet për pjesëmarrje në një komplot të gjerë, që synonte përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 në këtë shtet.

Prokurorja tha se synimi është t’i gjykojë të 19 të pandehurit së bashku dhe theksoi përvojën e prokurorëve të zyrës së saj me raste të mëparshme të ligjit për krimin e organizuar, duke shtuar se ky është rasti i 11, me akuza të bazuara në ligjin ‘RICO’, që ka çuar në gjyq zyra e saj. Fani Willis u bë Prokurore qarku në vitin 2021.

Ja si funksionon ky ligj:

Ligji federal “Organizata të Korruptuara nën Ndikimin e Krimit të Organizuar”, ‘RICO’ është miratuar në vitin 1970, si një mjet për të luftuar krimin e organizuar. Ligji u krijoi mundësi prokurorëve të ndiqnin krerët e mafias dhe jo vetëm kriminelët e rangut të ulët, që kryenin detyrat e pista.

Por synimi i tij nuk ishte të përdorej vetëm për krimin e organizuar. Në vitin 1989, Gjykata e Lartë, në një opinion të saj shprehej se “ligji kishte një shtrirje të gjerë dhe mund të përfshinte një sërë veprash penale, të formave të ndryshme, në të cilat mund të ishin përfshirë një gamë e gjerë shkelësish”. Disa vite pas miratimit të ligjit federal, shtetet të ndryshme, miratuan variantet e tyre të ligjit ‘RICO’. Me pak fjalë, ligji ‘RICO’, u lejon prokurorëve të akuzojnë një sërë individësh, që kryejnë krime të veçanta, por që kanë të njejtin synim të përbashkët.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Ligji ‘RICO” i Xhorxhias, është miratuar në vitin 1980 dhe parashikon si vepër penale pjesëmarrjen, krijimin, ose ruajtjen e kontrollit të një “organizate” përmes “një sërë veprimtarish të krimit të organizuar”, ose thurrja e një komploti për këtë qëllim.

Një veprimtari kriminale jo domosdoshmërisht duhet të ketë përfunduar me sukses, që të gjykohet në bazë të ligjit ‘RICO’.

Termi “organizatë” mund të nënkuptojë një njeri të vetëm, ose një grup personash, që kanë të njejtin synim. “Krim i organizuar” nënkupton të kryesh, ose të synosh të kryesh; t’i kërkosh, të shantazhosh, ose të kërcënosh dikë për të kryer, një nga mbi 30 veprat penale të parashikuara në kodin penal të shtetit.

Duhet të jenë kryer të paktën dy vepra penale, që të përmbushet standarti i “një veprimtarie të përsëritur të krimit të organizuar”, ose me fjalë të tjera, prokurorët duhet të provojnë se një individ është përfshirë në dy, ose më shumë vepra penale, si pjesë e veprimtarisë së tij në një organizatë kriminale, që të gjykohet në bazë të ligjit ‘RICO’.

Gjykata e Lartë, në opinion për ligjin federal ‘RICO”, thekson se akuzat duhet të tregojnë vazhdimësi, d.m.th., të jenë kryer një sërë veprash penale, gjatë një periudhe të gjatë kohore, jo vetëm brenda disa javësh e muajsh. Por Gjykata e Lartë e Xhorxhias ka sqaruar se ligji ‘RICO”, i shtetit të Xhorxhias nuk përmban kërkesa të tilla kohore.

Përse ligji ‘RICO’

“Unë jam një mbështetëse e ‘RICO’-s”, u shpreh prokurorja Willis në gusht të vitit 2022, ndërsa njoftonte akuza të bazuara mbi këtë ligj, ndaj mbi 20 të pandehurve si anëtarë bandash kriminale.

Prokurorja tha se anëtarët e jurisë duan të dinë të gjitha faktet, që lidhen me një krim të dyshuar dhe akuzat në bazë të ligjit ‘RICO’, u japin mundësi prokurorëve të ofrojnë një pamje të plotë të të gjithë aktivitetit të paligjshëm.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

Shpallja fajtor për akuza të ligjit “RICO’ shoqërohet me dënime të rënda, që mund t’iu shtohen dënimeve për akuza më të lehta.

Në Xhorxhia, ajo shoqërohet me dënime me burg nga 5 deri në 20 vjet; gjobë prej 25 mijë dollarësh, ose tre herë më shumë se shuma e përfituar nga aktiviteti kriminal, ose të dyja, burg dhe gjobë.

Sfidat e përdorimit të ligjit ‘RICO’ nga prokuroria

Prokurori J. Tom Morgan përdori ligjin ‘RICO’ për të akuzuar një sherif të korruptuar në Qarkun DeKalb, ngjitur me qarkun Fulton. Një prej sfidave, thotë ai, është t’i shpjegosh jurisë se çfarë nënkupton ligji ‘RICO’ dhe si funksionon.

“Të gjithë e kuptojnë se ç’do të thotë një akuzë për vrasje, për përdhunim, ose për vjedhje. Por termi ‘RICO’ nuk është pjesë e fjalorit të përditshëm”, thotë ai. “Nuk është një akuzë që shihet në serialet televizivë për krimet”.

Përvoja e Prokurores Willis me ligjin ‘RICO’

Kur ishte Zv/Prokurore qarku në Fulton, ajo drejtoi hetimet dhe ngriti akuza bazuar në ligjin ‘RICO’ ndaj një grupi mësimdhënësish të sistemit publik në një skandal mashtrimi.

Pas një procesi gjyqësor që zgjati një muaj, në prill të vitit 2015, juria i shpalli 11 ish mësuesit fajtorë, nën akuzat për krim të organzuar, për rolin e tyre në një skemë, që rriste artificialisht rezultatet e provimeve të fundvitit në testet standarte të shtetit.

Që kur u bë kryeprokurore distrikti në janar 2021, ajo ka ngritur disa herë akuza bazuar në ligjin ‘RICO’, ndaj anëtarëve të bandave kriminale, përfshirë disa këngëtarë të njohur të muzikës ‘rep’.

Avokati John Floyd, një ekspert ligjor i njohur në mbarë vendin për ligjin ‘RICO’, me zyrë në Atlanta të Xhorxhias, ishte një prej ndihmësve të prokurores Willis në rastin e mësuesve. Pas hapjes së hetimeve për zgjedhjet e vitit 2020, ajo e angazhoi avokatin Floyd si këshilltar të posaçëm për ta ndihmuar në rast se zyra e saj do të ngrinte akuza bazuar në ligjin ‘RICO’.

Rruga Press

YouTube player