Politologu Bieber akuzon Serbinë për mashtrim
Politologu austriak Florian Bieber e ka shkruar një opinion të titulluar “Akti i inskenuar balancues i Beogradit”, ku e akuzon Serbinë për mashtrim sa i përket pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare, dhe veçanërisht në lidhje me agresionin rus në Ukrainë.
Çfarë thuhet tjetër?
Profesori që merret aktivisht me rritjen e autoritarizmit në Ballkanin Perëndimor e denoncon regjimin e Vuçiqit pikërisht për autoritarizëm derisa nënkupton se ambivalenca aktuale gjeopolitike e Serbisë i shërben vetëm kësaj agjende të tij.
Fillimisht, ai e nis shkrimin e tij duke shprehur se Serbia e ka pasur mundësinë që të heqë dorë nga ambivalenca në fjalë duke u rreshtuar në mënyrë të qartë me Perëndimin.
Por, sipas tij, Vuçiqi nuk e bëri.
“Politika e jashtme kontradiktore e Serbisë ka përfshirë dënimin e agresionit rus dhe shitjen e armëve për Ukrainën derisa nuk vinte sanksione kundër Rusisë”, ilustron Bieber në fjalët e tij.
Sipas tij, mundësia që Serbia të pozicionohej qartë ishte e madhe pas 24 shkurtit 2022.
Ai shprehet i bindur se përpjekjet e Perëndimit që ta bëjnë Serbinë të mos rreshtohet krejtësisht me Lindjen (Rusinë e Kinën) nuk do të japin rezultat shkaku që është vetë regjimi i Vuçiqit që fton ndikimin e tyre në vendin e tij.
Bieber pretendon megjithatë se ambivalenca gjeopolitike e Serbisë nuk është thjesht pjesë e politikës së jashtme të regjimit të Vuçiqit, por diçka e ngulitur më thellë së brendshmi.
Gjatë analizës së tij, Bieber përmend edhe bisedimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë duke besuar që kjo e fundit ka marrë mbështetje më të madhe se asnjëherë nga Perëndimi.
“Për më tepër, gjatë bisedimeve të udhëhequra nga BE-ja dhe ShBA-ja mes Serbisë dhe Kosovës, pozicionet e Serbisë morën mbështetje domethënshëm më të madhe se para invazionit rus në Ukrainë”, shkruan ai.
Ndoshta, edhe disa gabime në hapa nga Qeveria e Kosovës kanë ndihmuar në këtë drejtim? Ndoshta.
“Politika serbe e ambivalencës nuk i sjell përfitime Serbisë, BE-së e as ShBA-së”, thuhet në shkrimin e tij, ku propozohet që të rritet ndikimi i shoqërisë civile në Beograd për t’i bërë presion regjimit që të japë më shumë liri për mediat.
“Problemi kryesor në Serbi nuk është ambiguiteti i saj gjeopolitik por më shumë regjimi i saj autoritar që ushqen sentimentin anti-Perëndimor”, përfundon Bieber.
Rruga Press