Krasniqi: Udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri do të vlejë për të gjitha komunat
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Udhëzimi administrativ që po përgatitet për t’i larguar kryetarët në katër komunat veriore përmes peticionit, do të vlejë për të gjitha komunat e Kosovë. Ai ka sqaruar se Grupi punues i themeluar duhet ta finalizojë projekt-udhëzimin administrativ dhe ta procedojë deri me datën 1 shtator të këtij viti.
Krasniqi ka thënë se ndryshimin në Ligjin për vetëqeverisje lokale e kishte iniciuar vetë ai, por thotë se nuk e kishte 2/3 e votave të deputetëve dhe të komuniteteve.
“Ligji për vetëqeverisje Lokale ka shumë mangësi dhe ka shumë hapësirë që të korrigjohet e plotësohet. Ju e dini që kemi iniciuar plotësimin e ligjit, ne i kemi bë disa propozime, i kemi prezantuar mirëpo nuk është vendosur në votim, ngase duhen 2/3 e votave edhe të komuniteteve. Kjo na ka vu para situatës që nga kjo se cilat udhëzime që t’i zhvillojmë. Së fundi kemi filluar mbi procedura si organizohet një peticion, buron nga ligji neni 72, të shohim se cila do të jenë gjetje e tyre”, ka thënë Krasniqi gjatë një vizite në Lipjan.
Ministri tutja ka thënë se kryetarëve në veri nuk mund t’u kërkohet dorëheqja nga asnjë institucion, përveçse me peticion.
“Grupi ka afat një muaj që ta bëjë draftin dhe mandej të jetë nga 1 shatori udhëzim, mirëpo çka është e rëndësishëm, ky udhëzim që buron nga ligji nuk vlen vetëm në veri, mund të shfrytëzohet nga të gjitha komunat. Unë jam shumë i bindur që do të jetë profesional. Kryetarët në veri kanë fituar mandat, dorëheqja nuk mund të kërkohet nga asnjë institucion tjetër përveç se me peticion nga qytetarët”, ka shtuar ai.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se veriu është çështje politike dhe duhet të gjendjet një zgjidhje sa më shpejt.
“Nuk kam pa ndonjë udhëzim, duhet të gjendet një zgjedhje. Peticioni nuk besoj që është mjet adekuat të zgjidhet çështja. Ka mangësi në zbatim, por çështja e veriut është politike, duhet të gjendet zgjedhje”, ka thënë Ahmeti.
Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri. BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.
Rruga Press