Ngrihet aktakuzë ndaj dy serbëve për huliganizëm në veri
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të nacionalitetit serb, nën dyshimin për huliganizëm në protestat e fundmajit në veri të Kosovës.
Të pandehur janë S.J. dhe I.S.. Ata akuzohen për “pjesëmarrje në turmën që kryen vepër penale huliganizmi”.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin tentuar të marrin pjesë në turmat e mbledhura dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme të huliganizmit. Ata kishin hyrë në Kosovë nga Jarinja më 30 maj. Sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm, dëmtim të objekteve e shkaktim të lëndime trupore ndaj zyrtarëve. Prokuroria ka thënë se ata kishin qenë në kontakt me turmën në Leposaviq, që kishte ushtruar dhunë dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it e dëmtime të veturave zyrtare dhe të mediumeve.
“Mirëpo, të njëjtit janë ndalur nga ana e pjesëtarëve të policisë së Republikës së Kosovës dhe kështu është pamundësuar pjesëmarrja e tyre në turmën e lartpërmendur”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, I.S. akuzohet se në një veturë i janë gjetur edhe spreje për të cilat s’kishte autorizim t’i mbante.
Rruga Press