Lajme

MPB-ja u kërkon mërgimtarëve të “festojnë me zemër, jo me armë”

Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme kanë mbajtur të mërkurën aktivitetin e promovimit të fushatës “Festo me zemër, jo me armë” për mërgimtarët në Aeroportin “Adem Jashari”.

Sipas njoftimit, koordinatori për Armë të Vogla dhe të Lehta, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, së bashku me një ekip nga Policia e Kosovës dhe zyrtarë të MPB-së, bashkëbiseduan dhe shpërndanë mesazhet kryesore të fushatës për parandalimin e gjuajtjeve festive me mërgimtarët.

Zëvendësministri Gashani kërkoi nga mërgimtarët që këtë mesazh për parandalimin e të shtënave festive ta ndajnë dhe me familjarët e tyre në Kosovë, sidomos në ambiente festive ku marrin pjesë për t’i njoftuar qytetarët mbi pasojat që vijnë nga të shtënat gjatë gëzimeve familjare.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

“Është e rëndësishme që në ahengjet tuaj të festoni pa të shtëna me armë. E shtëna me armë nuk është traditë, i përket të kaluarës, andaj ju ftojmë që të bashkëpunoni me Policinë e Kosovës, në raste kur jeni ne ambiente ku ka prani, apo të shtëna me armë. Me të gjithë akterët institucional dhe të sigurisë po punojmë ngushtë që të parandalojmë të shtënat festive dhe të rrisim nivelin e sigurisë në vend”, theksoi ndër të tjera zëvendësministri Gashani.

Ndërsa mërgimtarët që vinin në Kosovë, siç thotë njoftimi, e mirëpriten nismën e MPB-së për këtë fushatë dhe premtuan që të njëjtat mesazhe t’i ndajnë edhe me familjarët dhe të afërmit e tyre.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

“Ministria e Punëve të Brendshme, me 30 qershor filloi zyrtarisht fushatën ‘Festo me zemër, jo me armë’ me aktivitete në shkolla, takime me Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi, institucionet të sigurisë, institucione fetare dhe asamble Komunale në qytete të ndryshme në Kosovë. Aktivitete të tjera do të përcjellin fushatën gjatë ditëve dhe muajve në vijim, për të ngritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të rritur numrin e raportimeve për të shtënat festive”, thuhet në njoftim.

Rruga Press

YouTube player