Pse është kaq nxehtë në Evropë dhe sa do të zgjasë?
Evropa jugore dhe lindore po përgatiten për temperatura rekord teksa fillon një valë e të nxehtit.
Disa pjesë të Italisë mund të shohin temperatura maksimale prej 48 gradë Celsius në ditët në vijim, duke nxitur frikën për rritjen e numrin të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë.
Të martën (11 korrik), një punonjës i sinjalistikës rrugore u rrëzua dhe vdiq pranë Milanos ndërsa temperaturat arritën në 40 gradë Celsius, raporton euronews.
Kroacia, Franca, Greqia, Spanja dhe Turqia gjithashtu mund të përballen me temperatura rreth 40 gradë Celsius. Kjo është pjesërisht për shkak të sistemit të motit Cerberus, i cili po lëviz në të gjithë kontinentin nga Sahara.
Pse është kaq nxehtë në Evropë?
Temperaturat ekstreme kanë goditur Evropën këtë vit, pasi bota po përpëlitet nga moti El Nino dhe emetimet e gazeve serrë ngrohin klimën tonë.
Por, nivelet e fundit janë përkeqësuar nga një anticiklon i quajtur “Cerberus”. Kjo zonë me presion të lartë filloi në Sahara përpara se të lëvizte nëpër Afrikën veriore dhe në Mesdhe.
Vala e të nxehtit u emërua nga Shoqëria Meteorologjike Italiane pas qenit me sy të zjarrtë dhe me tre koka që ruan portat e botës së krimit në mitologjinë greke.
Sa e nxehtë do të jetë Evropa?
Ishujt italianë të Sardenjës dhe Sicilisë mund të “ziejnë” në 48 gradë Celsius në ditët në vijim. Në muajin gusht të vitit 2021, Sicilia arriti 48.8 gradë Celsius – temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Evropë.
Roma, Bologna dhe Firence janë ndër dhjetë qytetet italiane aktualisht nën alarmin e kuq për të nxehtit ekstrem.
Shërbimi meteorologjik i Spanjës tha se termometrat mund të godasin potencialisht 45 gradë Celsius zonat juglindore të Gadishullit Iberik, të cilat janë gjithashtu nën alarm për nxehtësi ekstreme. Temperatura e tokës në disa pjesë të vendit ka arritur më shumë se 60 gradë Celsius.
Sa do të zgjasë vala e të nxehtit Cerberus?
Vala ekstreme e të nxehtit e nxitur nga Cerberus parashikohet të godasë Mesdheun për rreth dy javë.
Por, ky nuk do të jetë fundi i fatkeqësive të motit të Evropës, transmeton Telegrafi.
Kontinenti regjistroi javën më të nxehtë ndonjëherë këtë muaj, pasi përjetoi qershorin më të ngrohtë të regjistruar, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO).
Agjencia e OKB-së ka paralajmëruar se ekziston një probabilitet 90 për qind që El Nino të vazhdojë deri në fund të vitit me një forcë mesatare ose më të lartë.
Fenomeni global i motit ndodh kur ujërat në Oqeanin Paqësor bëhen shumë më të ngrohta se zakonisht. Mund ta shtyjë botën të kalojë një rekord të ri të temperaturës mesatare, duke i bërë valët e të nxehtit dhe stuhitë më të forta.
Një raport i kohëve të fundit nga Greenpeace mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në motin e Spanjës theksoi nevojën urgjente për të reduktuar emetimet e gazeve serrë që ngrohin planetin. Rritja e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe reduktimi i varësisë sonë në lëndët djegëse fosile është jetike për këtë qëllim.
Si të qëndroni të sigurt gjatë valëve të të nxehtit në Evropë?
Valët e të nxehtit të verës së kaluar kontribuuan në 61 mijë vdekje në Evropë, sipas një studimi të fundit.
Të moshuarit, gratë dhe ata që jetojnë në vendet e Mesdheut u prekën më keq.
Ndërsa kjo verë fillon të thyejë rekordet e të nxehtit, njerëzit këshillohen të qëndrojnë të hidratuar dhe të shmangin kafeinën dhe alkoolin. Aktivitetet e forta gjithashtu duhet të shmangen gjatë kulmit të ditës.
Gjithashtu duhet të keni kujdes për shenjat e goditjes nga nxehtësia. Simptomat përfshijnë konfuzion për shkak të mungesës së rrjedhjes së gjakut në tru; lëkurë e skuqur dhe e thatë; mungesa e djersës; dhe, në rastet më ekstreme, dështimi i organeve, si dhe konvulsione.
Rruga Press