EditorialKryesore

Ushtrim logjik mbi politikën antikombëtare

Shkruan Elvis Hoxha, studiues i filozofisë

Mendoni për pak Ukrainën në prag të agresionit rus. Rusët planifikuan ta pushtojnë Ukrainën brenda disa orësh dhe të risillnin në pushtet Janukoviçin, ish-udhëheqësin pro-rus, i korruptuar dhe korruptues i madh i sistemit qeverisës në Ukrainë para disa vitesh.

Ju kujtohet të gjithëve se propaganda ruse e justifikoi agresionin me sjelljen fashiste ndaj minoritetit rus në komunat lindore të Ukrainës. Ndërkohë populli ukrainas nuk ia fal kurrë Rusisë sovjetike dhe sidomos asaj staliniste viktimat. Ukrainasit nuk harrojnë kurrë 3-5 milionë viktimat e Stalinit në vitet ’30.

Paramendoni sikur në këtë situatë të para agresionit, në mediet ukrajnase të dilnin njerëz si Baton Haxhiu, Berat Buzhala dhe Gazmend Muhaxheri e të akuzonin shtetin ukrainas për sjellje fashiste mbi pakicat ruse. Pra, të ndihmonin propagandën ruse nga brenda Ukrainës. E kuptojmë menjëherë se ata do të citoheshin fuqishëm nga mediet dhe diplomacia ruse. Por dëmi më i madh do të vinte nga rritja e hezitimit të demokracive perëndimore kundrejt drejtësisë së shtetit ukrainas në situatën e luftës.

Lexo më shumë  Kur Rama ankohet se fajin e ka Tik Toku

Analogjia mes Rusisë dhe Serbisë është e përkryer:

– Të dy shtetet thërrasin me të gjitha fuqitë mediatike dhe akademike se Ukraina dhe Kosova janë përkatësisht djepi i themelimit të tyre.

– Ata akuzojnë që të dy Perëndimin dhe NATO-n për sjellje fashiste.

– Që të dy shtetet kërkojnë shpalljen e republikave të pavarura në shtetet fqinj.

– Që të dy shtetet kërkojnë të dëmtojnë sistemin politik të shteteve fqinj.

– Rusia dhe Serbia janë shtete pa asnjë vlerë demokratike, të udhëhequr nga njerëz që i përkasin origjinës më të dyshimtë e të lidhur me regjimet që u rrëzuan.

Ukraina dhe Kosova hyjnë në analogji falë analogjisë së armiqve të tyre. Por dallimi mes Ukrainës dhe Kosovës qëndron në faktin se në Ukrainë nuk ka medie dhe opozitë që bën punën e armikut ekzistencial. Kosova ka diçka më shumë se Ukraina, ka Republikën e Shqipërisë. Ndërsa Ukraina ka në mbështetje një shtet me popullsi tjetër, Poloninë. Mbështetja e Polonisë për Ukrainën është e përkryer. Mbështetja e qeverisë së Shqipërisë për Kosovën jo vetëm mungon, por është kthyer në komplikim. Kroacia po sillet për Kosovën si Polonia për Ukrainën.

Lexo më shumë  Mbylle TikTok-un sa të duash, por 14-vjeçarët do rriten sërish mes llumit

Nese Ukraina do të shihte sjelljen e shtetit shqiptar ndaj Kosovës, me siguri do të falenderonte Zotin që nuk ia ka dhënë një shtet të tillë “amë”. Një shtet amë që do t’i propozonte botës dhe vetë Ukrainës të hynte, madje të mbyllej, menjëherë në konferencë ndërkombëtare me Rusinë për të diskutuar pavarësinë dhe sovranitetin territorial të saj.

Ndaj, si për Kosovën dhe Ukrainën, analogjia dëshmon vetëm një direktivë:

QËNDRESA në TË DREJTËN E VET.

Rruga Press

YouTube player