Kurti: Lejimi i kalimit të Marrëveshjes Bazë pa nënshkrim, gabim i madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kuti, ka thënë se lejimi i kalimit të Marrëveshjes Bazë, pa u nënshkruar nga të dyja palët ka qenë gabim i madh. Sipas tij fakti që ajo nuk është nënshkruar, i ka hapur rrugë shkeljes dhe moszbatimit të saj.
Në konferencën e përbashkët të mbajtur pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel, Kurti ka thënë se më Marrëveshjen Bazë, është arritur diçka që ka qenë e paimagjinueshme më parë.
“Lajm i mirë është se e kemi një marrëveshje dhe kjo duhet të vlerësohet sepse është mundësuar nga BE-ja, nën patronatin dhe ndërmjetësimin e BE-së, Komisionin Evropian, e kemi arritur një marrëveshjes që ishte e paimagjinueshme dy vjet më parë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij marrëveshja përmban njohën de-facto të Kosovës nga Serbia.
“Çdokush që i lexon këto 11 pika të marrëveshjes bazë do të vijë në përfundim që kjo është një njohje de-facto. Gjithsesi vështirësitë që i kemi është mungesa e implementimit, dhe kjo filloi duke e lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët, ky ishte një gabim i madh, sepse mosnënshkimi i marrëveshjes i ka hapur derën shkeljes ose mosimplementimit të saj”, ka theksuar Kurti.
Ai ka theksuar se ajo çka duhet është implementim i shpejtë i të gjitha pikave të Marrëveshjes, pa parakushte ose vonesa.
“Kjo është zgjidhja dhe duhet të intensifikohet dialogu për implementim, të saj, sepse marrëveshja është aty”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se nuk duhet të hiqet dorë nga marrëveshja e arritur.
Rruga Press