Kryeministri holandez: Përkrahim Kosovën e Serbinë drejt normalizimit të raporteve
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, deklaroi se shteti që ai përfaqëson përkrahë Kosovën dhe Serbinë në rrugën e dialogut, me qëllim të normalizimit të raporteve.
Ai deklaroi të martën në një konferencë për media se shtensionimi i situatës është i rëndësishëm jo vetëm për paqen, por edhe për prosperitetin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Sot i kemi shprehur brengat tona për ngritjen e tensioneve mes Kosovë dhe Serbisë. Holanda dhe Luksemburgu tentojnë të normalizojnë situatën drejt dialogut dhe deeskalojnë situatën, t’i normalizojnë raportet mes dy shteteve. Shpresoj që kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen në rajon, por edhe për prosperitetin drejt integrimit në BE”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit Rutte, Holanda e përkrah Kosovën drejt integrimit dhe në rrugën për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ai u shpreh se reformat në sistemin juridik janë të rëndësishme, ndërsa tha se Holanda si investitori i tretë më i madhi në Kosovë, sheh mundësi të afërta bashkëpunimi.
“Ne shohim mundësi për bashkëpunime më të afërta ekonomike me Kosovën dhe Holanda është investitori i tretë më i madhi në Kosovë. Mund të bëjmë edhe më shumë, të punojmë për çështjen e migracionit, për të bërë më shumë në fushën e liberalizimit të vizave.. I përkrahim përpjekjet e Kosovës për vizat dhe jam i sigurt se shumë hapa do të bëhen. Në gjithë Ballkanin Perëndimor jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës”, deklaroi Rutte.
Rruga Press