Lajme

Në librin e Tahir Kolgjinit: Të vërtetat Shqiptare dhe Greke, shofim një ngjashmëni të kulisave që na kanë ndodhë në jug të Shqipnisë, në përpjekje për me aneksue territore shqiptare nga Greqia me ato që sot po përdor Serbia në kufinin verior, po për të njajtin qëllim, për me përfitue territore Shqiptare

Nga Sokol Kolgjini

Një ndër arsyet pse ne duhet me e njoftë historinë tonë reale asht fakti se ajo na përsëritet në mënyrë ciklike, herë në jug e herë në veri.

Duke lexue librin e Tahir Kolgjinit: Të vërtetat Shqiptare dhe Greke, shofim një ngjashmëni të kulisave që na kanë ndodhë në jug të Shqipnisë, në përpjekje për me aneksue territore shqiptare nga Greqia me ato që sot po përdor Serbia në kufinin verior, po për të njajtin qëllim, për me përfitue territore Shqiptare.

Nërvozues dhe turp për ne asht fakti se ne shqiptarët nuk jemi konsiderue asnjëherë. Marrveshjet për ne shqiptarët bahen mes Grekëve, Italianëve, Austriakëve, etj…

Kush të ketë kohë, le ta lexoje.

Politikëbamsit tonë duhet patjetër me e lexue. Ata duhet me e ditë paraprakisht së çfar mundet me ndodhë, e kështu ndoshta konsiderohemi edhe ne.

ps/ ky asht veç një pjesë. Libri dhe historia vazhdon.

——————————

II –C / GJENDJA JURIDIKE NDËRMJET SHQIPNÍS DHE GREKÍS

Pretendimet qi paraqesin politikanët grekë kundra Shqipnís lidhun me origjinën greke të popullsís së Epirit të Veriut janë gënjeshtra fund e krye. Âsht krejt e kundërta, qenia shpirtnore e popullsís së Epirit të Veriut âsht provue me fakte dhe vendime ndërkombëtare. Ma poshtë dëshirojmë me parashtrue shkurtimisht, në etapa të ndryshme, gjendjen juridike të kufijve ndërmjet Shqipnís dhe Grekís, të përcaktuem, të njoftun dhe të respektuem zyrtarisht në arenën ndërkombëtare qysh prej vitit 1925.

1. Kur Perandoria Osmane ishte tue hupun në Luftën Ballkanike , Shqipníja më 28 nandor 1912 shpalli në Vlonë pavarsín dhe nëpërmjet nji deklarate iau bani me dije kët akt shteteve të mëdhaja. Por, në kët kohë Shqipníja ende nuk kishte fitue statusin e domosdoshëm të shtetit në arenën ndërkombëtare. Shtetet fqinje qi kishin hapun luftë kundra osmanëve, tu’e vlerësue kët situatë si rasë të volitshme, do të vazhdonin me e sulmue Shqipnín nga të gjitha anët, me lakminë për të fitue toka shqiptare sa ma shumë. Përkundrejt kësaj gjendjeje, edhe forcat popullore shqiptare u ngritën kundra forcave pushtuese, tue shfrytëzue të tana mundësinat qi kishin me shpirt ndër dhambë, dhe në përleshje me ta u vunë në pruejtje të tansís së Atdheut të tyne.

2. Mbas Luftës Ballkanike, me qëllim qi të vendosej paqja mes dy palëve ndërluftuese, në maj të vitit 1913 u mblodh në Londër nji “Koferencë Ambasadorësh”. Në marrëveshtjen qi u arrit në kët Konferencë, mbi Shqipnín e cila gjendej midis zotnimeve të Shtetit Osman –prej të cilave ky do të hiqte dorë në favor të shteteve ballkanike dhe shteteve të mëdhaja – nuk shkruhej asgja. Por, në numrin 3 të kësaj marrëveshtjeje shkruhej se njihej nji “Principatë Shqiptare” e vogël qi shtrihej në Shqipnín e Mesme, si do të përcaktoheshin kufijtë e kësaj Principate të vogël dhe në çfarë forme do të zgjidheshin problemet qi kishin të banin me këto çashtje.

Ndërkohë, forcat greke kishin pushtue shumë vende të Shqipnís Jugore të tashme dhe nga ana tjetër qarqet diplomatike të Athinës, tue shprehun pretendimet e tyne mbi Janinën, Prevezën, Gjinokastrën, Vlonën dhe Korçën, të cilat ishin të pushtueme, i paraqitnin Konferencës së Ambasadorëve kërkesa qi këto vende t’i bashkoheshin Grekís.

3. Delegacioni i Italís dhe aj i Austro-Hungarís, tue i vlerësue kërkesat qi Grekíja i paraqiti Konferencës si krejtsisht të padrejta, konstatonin se Shqipníja do të pësonte padrejtësi të pamëshirshme, prandej më datë 7 maj 1913, këto delegacione, përkundër kërkesave të Athinës, i paraqitën Konferencës nji kundërpropozim. Simbas hartave dhe statistikave qi iu bashkangjtën propozimit në fjalë, Janina, Çamría, Korça dhe Gjinokastra i takonin Shqipnís, dhe për kët arsye ishte e domosdoshme qi këto vende t’i jepeshin Shqipnís. Edhe argumenetet mbështetëse ishin shum të fuqishme…

Kësisoj, interesat ndërshtetnorë dhe përplasja midis tyne kishin ba të mundun qi çashtja të merrte nji përmbajtje ma të gjânë dhe ma të komplikueme.

4. Mbasi shtetet e mëdhaja, të ndodhuna përpara nji situate të komplikueme qi tashma ishte realitet, parashtruen propozime dhe kundërpropozime, projekte dhe kundërprojekte, në seancën e fundit të Konferencës së Ambasadorëve u arrit nji marreveshje mbi kufijtë ekzistues ndërmjet Shqipnís dhe Grekís, qi kishte të bânte me krijimin e nji komisioni ndërkombëtar i cili ngarkohej me detyrën e studimit të hollësishëm në terren të çashtjes së kufijve midis dy shteteve, me qëllim qi të bahej përcaktimi përfundimtar i tyne.

5. Anëtarët e këtij “Komisioni Ndërkombëtar të Kufijve” qi u krijue, për fat të keq nuk arritën ta realizonin detyrën qi u ishte ngarkue, detyrë e cila ishte “studimi në vend” i problemeve të kufinit. Mosrealizimi i nji detyre të tillë erdhi nga pengesat joqytetare dhe jonjerzore të grekëve – përfshi këtu edhe veprimtaritë penguese të priftënve grekë – dhe të forcave të shenjta “andarte”, që nga përdorimi prej tyne i një fjalimi të padenjë në komunikim e te kërcënimet me armë dhe ofendimet e tilla qi nuk t’i merr mendja. Nga ana tjetër, grekët nëpërmjet torturave kishin krijue nji mjedis të tmerrshëm, tue mos e lejue popullsinë vendase me u takue me anëtarët e Komisionit. Thanë ndryshe, forcat greke, si për Komisionit ashtu edhe për popullsinë, kishin ngritun nji front të frikshëm në formën ma barbare.

Anëtarët e Komisionit, nga data 19 deri më 23 tetor 1913, mundën me kalue vetëm nëpër katundet Prodan, Borovë, Stikë, Qafë-Zezë, Vodicë dhe Gostivisht, ku për shkak të pengesave të shumta qi u nxirreshin, pa arritun ndonji rezultat, u larguen pa uzdajë nga vija kufitare tue mbetë të detyruem qi çashtjen e caktimit të kufinit shqiptaro-grek ta zgjidhnin tue u mbështetë në harta, me zgjidhjen e cila âsht në fuqi edhe aktualisht.

Kufini shqiptaro-grek, i përcaktuem në kët mënyrë, mori formë të preme me marrëveshtjen e arritun më 17 dhetor 1913, e cila njihet me emnin “Protokolli i Firences”.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

6. Shqiptarët, të cilët hupën nji pjesë të madhe të Atdheut të tyne të vërtetë, natyrisht qi nuk ishin të kënaqun nga vendimi i masipërm. Nga ana tjetër, edhe grekët, tue mos arritun të tanë objektivat e politikës grabitqare, kambëngulnin në ankesat e tyne. Ndërkohë edhe politika angleze kërkonte me pasun nji Greki të sistemueme katërcipnisht, qi të mund ta përdorte si bazë të veten në çdo kohë në Mesdhé dhe Ballkan, prandej shfrytëzoi çdo lloj mundësie politike, në favor të Athinës, tue mos lanë mbas dore asgja…

Në kët kohë Athina iu drejtue dredhive tjera tue thanë: “Çashtja e kufinit Shqipni-Greki nuk âsht e ndame; ajo duhet të zgjidhet tue qenë e lidhun me çashtjen Turki-Greki”. Tue përdorun nji pretekst të tillë, ajo në kundërshtim me vendimin ndërkombëtar vazhdonte mos me i tërhjekun forcat e veta nga tokat e Shqipnís.

Përballë nji gjendjeje të tillë, shtetet e mëdhaja, nëpërmjet nji note të datës 13 shkurt 1914 drejtue Grekís, i kërkonin Athinës në mënyrë të preme, qi në përputhje me vendimin e Protokollit të Firences, t’i tërhiqte deri më 21 mars 1914 forcat greke nga tokat e Shqipnís.

7. Nota qi iu lëshue Grekís më datë 13 shkurt 1914 shkaktoi tronditje të madhe te ithtarët e Megaloidesë. Me gjithë këte, ata ushqenin nji besim të pa fund ndaj ushtrís së tyne të shenjtë. Si rezultat i kësaj mbështetjeje, përgaditën nji lojë politike origjinale: Zografo, njani nga përfaqsuesit e Ministrís së Jashtme të Grekís, në të njejtën kohë edhe njani prej miqve dhe besnikëve ma të ngatë të Lefter Venizellosit, njeri me origjinë shqiptare, erdhi në Epirin e Veriut, dhe në përputhje me udhëzimet qi kishte marrun nga Athina më 28 shkurt 1914, shpalli autonominë e kësaj krahine. Tashma, autonomia në fjalë do të përdorej si mburojë në frontin politik dhe do të thuhej se me kërkesën e popullsís së Epirit të Veriut, tash e tutje, kjo krahinë ishte ba autonome; ishte ba e pavarun.

8. Shpata e tradhtarit Zografo priste mjaft mirë në të dyja anët. Ky njeri, ngaqë e kishte shitun veten te Athina, ishte personi ma i përshtatshëm për t’i realizue qëllimet e jashtëligjshme të Grekís. Aj mundi me luejtë rol tue mashtrue dhe tue vumë në gjumë popullsinë shqiptare. A nuk ishte me origjinë shqiptare ky tradhtar?

Forcat ushtarake të Grekís tash ishin nên urdhnat e Zografos. Krahas forcave ushtarake, kishte edhe persona të hunit e të litarit, të mbledhun me ndihmën e kishës greke nga të katër anët e Grekís. Këta, me cilësinë e vullnetarit, formonin ushtrinë e shenjtë dhe forcat andarte. Në pamje, edhe pse dukej se këto forca përbaheshin nga çeta jo të rregullta, atyne në të vërtetë iu bashkuen edhe personalitete nga ma të zgjedhunat greke, s’bashku me oficerët ma të zgjedhun të shtabeve dhe autoritetet kishtare të rangjeve të nalta, të cilat kishin kompetenca të plota.

Këto forca, të cilat ishin vumë nên urdhnat e Zografos, përgaditeshin për nji seri krimesh të papame në histori…

9. Kishte mbërritë 31 marsi i vitit 1914. Me gjithë ate, forcat greke ende nuk i kishin zbrazun tokat shqiptare, sepse ende nuk e kishin realizue programin e serís së krimeve, prandej duhej ta shtynin edhe për pak kohë tërhjekjen…

Ma në fund, Grekíja, aty nga fundi i prillit njoftoi zyrtarisht tërhjekjen e njësive të saja ushtarake, tue thanë: “Tash e mbrapa nuk mund të mbaj përgjegjësi për asnji lloj ndodhie qi do të mund të ndodhë në kët krahinë”. Kjo, kuptohej, kishte të bânte me faktin qi forcat e Zografos, të cilat në shumicë përbaheshin nga kretas, u lanë në krahinë.

Në këto rrethana, instruktorët hollandezë qi ishin në përkrahje të xhandarmënís së Shqipnís, me të mësuem se ende në tokat e Shqipnís kish forca jo të rregullta greke, kërkuen me kambëngulje edhe tërhjekjen e tyne.

Si përfundim, edhe intrigat dhe mashtrimet me autonominë nuk iu ecën. Këto forca jo të rregullta greke, këta vullnetarë andartë të shenjtë (!) kur e panë se ishin të detyruem të tërhiqeshin, iu përveshën punës për zbatimin e programeve të dhunshme të projekteve djallëzore: i vunë zjarmin Shqipnís së Jugut dhe e shkatrruen. Rrafshuen për tokë edhe kishat ortodokse shqiptare, vranë mizorisht të tanë shqiptarët qi mundën të arrestonin, përfshi këtu edhe priftënt ortodoksë shqiptarë. Pa dallim, u përshkuen nga plumbat dhe u shpuen nga bajonetat, burra, gra, të rinj, pleq e fëmijë. Vendi ishte në flakë! Nji masakër e tmerrshme!

Sikur të mos kishin mjaftue këto, në krye të gjithë këtyne krimeve do të ishin përdhunimet. Ata vinin në majë të bajonetave të tyne foshnjet e pa fajshme qi ishin në barkun e grave shtatëzana, tue i copëtue ato nëpërmjet veprimeve të dhunshme.

Kudo kundërmonte era e krijesave të gjalla qi dekompozoheshin!

Gjithçka kishte marrun pamjen e nji thertoreje, të nji varreze të frikshme!

Qe bilanci i frikshëm i këtyne përbindshave qi të ngrenë qimet e trupit:

– Dheta mijë të vramë nga popullsia e pa fajshme!

– Tepelena dhe Leskoviku ishin shkrumbue plotsisht.

– Në Gjinokastër, Korçë dhe Leskovik, mbi 300 katunde ishin shkatrrue e rrafshue përtokë!

– Populli kishte ikun nëpër male dhe në zona të mbrendshme të vendit, tue mbetë i shpërndamë dhe në skamje, i mposhtun nga uja e smundjet!

Shikoni se çfarë thotë poeti popullor anonim kur përshkruen kët pamje shumë të hidhun, kët sqenë shumë të mjerë:

“Gratë e Labërís shkojnë për në Vlorë…

I përzuri greku me foshnje në dorë”!

Dhe kjo âsht nji copë prej qytetnimeve origjinale të grekëve, të cilët kërkojnë me bindë botën se janë të qytetnuem!

Mallkue qofshin qytetnimi i tillë dhe të qytetnuemit e tillë!

Mallkue qofshin këta të pafe të kamufluem në nji fe të tillë.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

10. Kur Shqipníja e Jugut lëngonte mbrenda kësaj pamjeje të tmerrshme, filloi Lufta e Parë Botnore. Gjatë kësaj lufte të urryeme, në vise të ndryshme të Shqipnís, hasim Fuqi të ndryshme: forcat e Italís, ato franceze, greke, bullgare dhe austriake. Në kët kohë, kur zjarmi kishte shpërthye në të katër anët, as qi mund të bahej fjalë për kufijtë e pa përcaktuem shqiptaro-grekë, të cilët nuk kishin marrë ende formë përfundimtare.

Por, duhet theksue se nga Fuqinat e masipërme, forcat greke dhe ato bullgare ishin të pushtueme nga dëshira për të përvetue toka, ndërkohë forcat italiane dhe ato austriake nuk hiqnin dorë nga domosdoshmënia e krijimit të nji shteti shqiptar, nga përkëdhelja e shqiptarëve dhe nga ndihmat qi iu jepnin. Ndërkohë, francezët qi gjendeshin në pjesën Jugore të Shqipnís, me gjithë të vërtetat e pa mohueshme, nuk e mshefnin simpatinë qi ushqenin për grekët.

Nuk e gjejmë me vend me i hymë e me shpjegue përkitas me ngjarjet e ndryshme të lloj-llojshme dhe përpjekjet diplomatike qi ndodhën në kët kohë. Kjo do të zgjaste shumë. Këto përpjekje janë dukuni jonormale të nji kohë jonormale, dhe tue mos pasun lidhje me temën tonë, përbajnë nji çashtje historike më vete. Sado qi, edhe gjatë kësaj kohe mund të flitet për damet qi grekët kanë ba ndaj shqiptarëve; madje këto janë aq të shumta sa nuk numërohen.

Na prap le të vazhdojmë me e shpjegue situatën juridike midis dy shteteve.

11. Me datë 26 qershor 1919, u nënshkrue marrëveshtja Titton-Venizellos. Në bazë të kësaj marrëveshtjeje të nënshkrueme nga Tommaso Tittoni në emën të qeverís Italiane dhe nga Venizellosi në emën të Grekís, palët i njihnin njana-tjetrës të drejta mbi tokat e Shqipnís. Qëllimi ishte qi forcat italiane të mbeteshin në Vlonë dhe grekët të mund të shkëpusnin nga Epiri i Veriut sa ma shumë toka qi mundeshin.

Ky ishte nji dokument bujarie qi bahej me pasuninë e nji tjetri.

Në saje të popullit italian dhe politikës largpamëse të qeverís italiane, më 22 qershor1920, Kuvendi Kombëtar i Italís e refuzoi kët marrëveshtje dhe e konsideroi ogurzezë. Rezultat i kësaj ishte edhe marrëveshtja e nënshkrueme midis Shqipnís dhe Italís më 2 gusht 1920, simbas të cilës, forcat italiane tërhiqeshin plotsisht nga Shqipníja.

Më 12 tetor 1920, Shqipníja edhe në sajë të përkrahjes së Italís, pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve. Me gjithë këte, forcat e Grekís dhe ato të Jugosllavís, përsëri nuk pranuen t’i zbrazin disa vise të Shqipnís.

Përballë kësaj situate, Shqipníja me statusin e nji vendi anëtar të Lidhjes së Kombeve kërkonte tërhjekjen e forcave të Grekís dhe të forcave të Jugosllavís në përputhje me Protokollin e vitit 1913, analizimin e gjendjes ndërmjet dy shteteve si dhe arritjen e nji zgjidhjeje përfundimtare.

Për kët arsye, çashtja iu delegue prap Konferencës së Ambasadorëve.

Konferenca e Ambasadorëve, qi u mblodh në Londër, mbassi ndigjoi pretendimet e të dy palëve, në seancën e 9 nandorit 1921 përkitas me kufijtë ndërmjet Shqipnís dhe Grekís, pranoi dhe miratoi lanien në fuqi të vendimeve të Protokollit të Firences të datës 17 dhetor 1913.

12. Edhe pse kufijtë Shqipni-Greki ishin përcaktue nga Traktati i Firences i 17 dhetorit 1913, edhe pse me vendimin e datës 9 nandor 1921 të Konferencës në Londër u jepej formë e preme këtyne kufijve, me qëllim qi përcaktimi politik i tyne të mund të hynte në nji fazë normale, më 18 dhetor 1922 përsëri krijohet nji Komision Ndërkombëtar. Ky Komision tashma nuk do të merrej me thelbin e çashtjes, por me detaje të saj. Në Komisionin e krijuem do të bânte pjesë edhe njani nga gjeneralët ma të vlerësuem të ushtrís italiane, Enrico Tellini.

Komisioni filloi punë, po për shkak të lloj-lloj pengesave qi nxirrnin grekët, punët ecnin shum ngadalë. Gjeneral Tellini, tue kuptue randësinë e detyrës qi kishte marrun, vendosi ta kërkonte dhe ta nxirrte të vërtetën në shesh me nji paanshmëni të qartë, në mënyrë të atillë qi do t’i shkonte për shtat reputacionit të personalitetit dhe gradës së tij ushtarake. Në kët moment grekët, me të kuptuem se general Tellini nuk do të bahej kukull në duert e tyne, e vranë në pabesí.

Për kët arsye, na shqiptarët, përkujtimin me mirënjoftje të thellë dhe ndjenja falënderimi të këtij gjenerali të madh italian, i cili u ba therror për të arritun tek e drejta dhe e vërteta gjatë kohës qi ushtronte nji detyrë të shenjtë, e konsiderojmë obligim njerzor dhe kombëtar.

13. Edhe mbas vrasjes së gjeneral Tellinit, Qeveria e Grekís, ani pse përdori të tana mjetet, ani pse bani protesta dhe kundërshtime të ndryshme herë mbas here, këto iu refuzuen në çdo rasë nga ana e Konferencës së Ambasadorëve.

Si përfundim, Qeveria e Grekís, më 9 shtator 1924 njoftonte Konferencën e Ambasadorëve se nuk do t’i lironte viset e okupueme, me pretekstin se ky veprim nuk ka marrun aprovimin e Parlamentit.

Konferenca e Ambasadorëve, e lodhun dhe e mërzitun tashma seriozisht nga këto sjellje të pacipa të Qeverís së Grekís, në përgjegjen qi i dha Athinës më 1 tetor 1924, përsëriste me nji stil të qartë dhe të premë se Konferenca nuk ishte për vazhdimin e matejshëm të debateve, por kërkonte domosdoshmënisht qi deri më 31 tetor 1924, forcat e Grekís të tërhiqeshin nga 14 katundet qi i përkisnin Shqipnís dhe kët veprim grekët t’ia banin me dije deri më datën e masipërme Komisionit të Kufijve.

Në të vërtetë, forcat shqiptare më 31 tetor 1924, të përfshime nga gëzimi e hareja, hynë dhe u vendosën në viset qi grekët u detyruen t’i lironin.

Kështu, Protokolli mbi kufijtë Shqipní-Grekí u nënshkrue më 27 janar 1925, prap në Firencë, dhe në kët mënyrë çashtja mori formën e preme, formën e propozueme.

Rruga Press

YouTube player