Bosch: Ndërkombëtarët po e shtyjnë në një cep Kosovën, e padrejtë ajo që po i kërkohet
Pas paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për masa kundër Kosovës, ish-ambasadori i Holandës, Robert Bosch, vlerësoi se situata është serioze. Ai këshillon ekzekutivin që t’i marrë parasysh kërkesat e aleatëve, edhe pse theksoi se ato nuk janë qind për qind të justifikuara.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat vendet anëtare i kanë përgatitur, sipas tyre, për shkak se nuk janë ndërmarrë hapat e kërkuar për të ulur tensionet në veri të vendit.
Diplomati, i cili ka shërbyer në Kosovë, këshillon Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti që të mos veprojë kundër misionit të aleatëve të shtetit.
“Serbët i kanë krijuar problemet. Pse po dënoheni kaq shumë për atë që bënë serbët. Është shumë e padrejtë ajo që po u kërkohet, por sipas meje, duhet ta bëni”, ka thënë ai.
Ndër masat e përmendura nga BE-ja është pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosmiratimin e projekteve nga fondi për investim në Ballkanin Perëndimor dhe pezullimin e financimit të programeve të BE-së.
Për ish-ambasadorin e Holandës, është e paqartë pse të gjitha këto bëhen kundër Kosovës, kur është Serbia shteti që po i krijon problemet.
“Nuk është e drejtë që të të shtyjnë kaq shumë në një cep, por po ndodh dhe duhet të arrish të reagosh ndaj tij në mënyrën e duhur, si të rritur dhe të jesh fleksibil”, ka theksuar diplomati.
Bosch theksoi se zgjedhjet në katër komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur, duke shtuar se duhet të ketë rend dhe ligj edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Ndërsa, lidhur me Asociacionin, Bosch shprehu se Kosova duhet ta formojë atë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe “nëse serbët nuk janë të lumtur, është problem i tyre”.
Pas paralajmërimeve të BE-së për ndëshkime ndaj Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka reaguar duke thënë se sa i përket vlerave evropiane, vendi ynë është prej partnerëve më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon. E lidhur me kërkesat për shtensionim të situatës, ai ka shprehur gatishmërinë për uljen e numrit të policëve në ndërtesat komunale në veri, por duke theksuar se kjo bëhet në proporcion me vendosjen e rendit në atë pjesë.
Në fillim të muajit qershor, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i kanë prezantuar tri kërkesa kryeministrit Kurti: Qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit, kur kryetarët e zgjedhur kanë shkuar në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës. Prej atëherë para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
Situata u tensionua më tej kur institucionet e Kosovës kanë njoftuar se forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitarë të Kosovës, brenda territorit të vendit. Ata janë liruar vetëm pas presionit nga ndërkombëtarët.
Rruga Press