Gërvalla: Perëndimi ta ndryshojë strategjinë, të dërgojë diplomatë të tjerë në Ballkan
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar që Perëndimi të ndryshojë strategjinë e tij, të dërgojë diplomatë të tjerë në Ballkan dhe të mbajë një qëndrim më të ashpër karshi Serbisë.
Në një intervistë dhënë gazetës austriake “Der Standard”, Gërvalla ka akuzuar të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për qëndrime të njëjta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, çka sipas saj, e inkurajojnë atë të përshkallëzojë situatën.
“Përshkallëzimi është rezultat i një strategjie të gabuar. I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit. Jo vetëm që kjo është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin; e inkurajon Vuçiqin të përshkallëzojë. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje ka edhe trupa Ëagner në vend. Një strategji e re nevojitet urgjentisht, duke përfshirë staf të ri, nëse duam të ndalet përshkallëzimi”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se Perëndimi nuk duhet të lejojë që disa individë “problematikë”, ta fusin një rajon në luftë.
“Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë. Ne, si Perëndimi në tërësi, nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putinit, Vuçiqin. Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë”, është shprehur ajo. “Perëndimi duhet së pari të parandalojë Vuçiqin që të ndërhyjë sërish me kërcënime dhe dhunë në një vend të huaj për të zbatuar një bojkot zgjedhor. Më 17 mars, Perëndimi garantoi se nuk do të kishte bojkot për zgjedhjet e prillit. Rezultati dihet, nuk duhet të përsëritet”, ka theksuar më tej ajo.
Rruga Press