Opinion/Aktualitet

Kundër kujt po e armatos Franca Serbinë?

Nga Shaban Murati

Në një intervistë me agjencinë e mirënjohur britanike “Rojter” në 9 qershor 2023 presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi se vendi i tij po zhvillon bisedime me Francën për blerjen e gjuajtësve francezë “Rafale” dhe në fazën e tanishme po diskutohet për blerjen e raketave dhe sistemeve franceze të amatimeve, që do të përdoren për gjuajtësit francezë të Serbisë.

Vlera e përgjithëshme e kësaj kontrate të madhe ushtarake, sipas vetë Vuçiçit, shkon te 3 miliard euro. Presidenti serb u mburr se marrja e kontigjentit të gjuajtëse francezë “do ta bëjë Serbinë një fuqi edhe më të madhe”.

Kjo përbën megakontratën e dytë ushtarake të blerjes nga Serbia në Francë të sistemeve moderne franceze të armëve pas marrëveshjes së parë ushtarake të nënshkruar gjatë vizitës së presidentit francez Makron në Serbi në korrik 2019 për blerjen e 32 sistemeve raketore franceze të mbrojtjes kundërajrore “Mistral” dhe të 50 raketave “Mistral”.

Furnizimi i Serbisë nga Franca me kontigjentin e gjuajtësve “Rafale” të shoqëruara me sistemet përkatëse të raketave dhe armatimeve për to, kur aktualisht Serbia e ka shndërruar Ballkanin Perëndimor në një vatër që po zien nga tensionet dhe rreziqet e një konflikti të armatosur, hap një dyshim të madh gjeopolitik dhe strategjik për raportet e Francës me Serbinë, me Ballkanin Perëndimor dhe me NATO-n.

Tërheq vëmendjen fakti që Serbia është shteti i parë jo anëtar i Aleancës Atlantike, që merr sistemet e raketav franceze. Është e qartë se këtu Paris bën një përjashtim, që nuk është tregëtar, po është ushtarak, strategjik dhe gjeopolitik.

Pyetja themelore, që del si konkluzion i kësaj armatosje me përmasa të mëdha me gjuajtës dhe me raketa e Serbisë nga ana e Francës, është: Përse dhe kundër kujt po e armatos Franca Serbinë?

Kemi një përkim tepër të lexueshëm interesash gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Francës dhe të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë një vizitë të posaçme zyrtare në Francë për gjuajtësit dhe sistemet e raketave franceze në 13 mars 2023, shefi i shtabit të ushtrisë serbe, gjenerali Milan Mojsiloviç, të cilin në këtë kuadër e çuan posaçërisht në bazën ajrore franceze të gjuajtësve “Rafale” dhe të raketave , deklaroi pas bisedimeve në ministrinë franceze të mbrojtjes dhe në shtabin e ushtrisë franceze:

“Duke pasur parasysh faktin se ministria franceze e mbrojtjes e mban bashkëpunimin ushtarak me Serbinë në nivel të lartë dhe i vlerëson përpjekjet e Serbisë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, kjo, (blerja e gjuajtësve dhe e raketave francEze), përbën një kontribut të plotë për forcimin e bashkëpunimit ushtarako-ushtarak dhe ekonomiko-ushtarak midis Serbisë dhe Francës”.

Tingëllon disi ironike që vlerësimi ushtarak dhe gjeopolitik për Serbinë, që shefi i shtabit të ushtrisë serbe dëgjoi në bisedimet e tij zyrtare në Paris, vjen pas faktit uluritës që Serbia, jo larg, por në dhjetor të vitit 2022 kërcënoi me luftë Kosovën dhe kërkoi zyrtarisht të ndërhynte ushtarakisht me trupa në Kosovë. Kërcënimi ushtarak serb i dhjetorit vinte pas tre kërcënimeve për lufte Brenda vitit nga presidenti serb Vuçiç, të shoqëruara me dislokime urgjente të ushtrisë dhe të forcave speciale serbe në kufijtë e Kosovës.

Armatosja e ethëshme me armë të sofistikuara, që Franca po i bën Serbisë, ecën dorë për dore me amatosjen kolosale, që Rusia i ka bërë makinës ushtarake serbe në mënyrë galopante, që nga agresioni i parë ushtarak rus kundër Ukrainës në vitin  2014 e deri në ditët tona të agresionit të dytë ushtarak rus kundër Ukrainës të shkurtit 2022.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Është e kuptueshme arsyeja e armatosjes së Serbisë nga Rusia, e cila është shtet armik i deklaruar i NATO-s, i BE dhe i Perëndimit dhe përgatitet për luftë kundër tyre në të gjitha rajonet e Europës, përfshirë Ballkanin. Mirë Rusia po e armatos hapur Serbinë si plasdarm të forcave të saj ushtarake në një konflikt të pritshëm rus në Ballkan, po Franca përse po e armatos Serbinë?

Presidenti i korporatës së sistemeve të raketave dhe të mbrojtjes kundërajrore antiraketë, MBDA, Eric Beranger, e vlerëson kontratën e majme të furnizimit të Serbisë me raketat franceze si “gur themeli i bashkëpunimit, që po ndërtojnë sëbashku Franca me Serbinë, objektivat e sigurisë së të cilës janë të ngjajshme me ato të Francës”.

Vështirë të gjesh logjikë më të habitëshme, që sajon  ngjajshmëri në objektivat e sigurisë midis një shteti të madh demokratik dhe anëtar të NATO-s si Franca me Serbisë, një shtet i vogël jodemokratik në Ballkanin Perëndimor, i cili me programin shovinist të të ashtuquajturës “botë serbe” po ushtron veprintari intensive diversioniste në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë për t’i prishur dhe aneksuar ato shtete.

Çfarë ngjashmërie franceze mund të gjesh me Serbinë, aleat strategjik i Rusisë dhe i vetmi shtet ballkanik, që ka nënshkruar Traktat Partneriteti Strategjik me Rusinë e Vladimir Putinit. Nuk kuptohet se si mund ta pohojë këtë një shtet i madh i NATO-s si Franca për Serbinë, që ka politikë zyrtare të urrejtjes kundër NATO-s dhe ku qeveria dhe presidenti Vuçiç celebrojnë rregullisht çdo vit me ceremoni zyrtare “Ditën Anti Nato”, dhe ku qeveria ka adoptuar me kërkesën e Mosës  të ashtuquajurën “doktrinë e neutralitetit ushtarak” pikërisht që të ndalojë Serbinë të hyjë në NATO.

Kaq absurd është në planin atlantik dhe ballkanik armatosja nga Franca e Serbisë me gjuajtës dhe me raketa franceze, sa që në qarqet diplomatike europiane po shpërndahet si justifikim teza naïve e presidentit serb Vuçiç se Serbia nga mungesa e pjesëve të këmbimit nuk po i mirëmban dot gjuajtësit luftarakë “MIG-29” të furnizuara nga Rusia, për shkak të vështirësive të furnizimeve nga Moska në kushte e luftës në Ukrainë.

Sipas këaj logjike kokëposhtë, meqë Serbia nuk po i mirëmban dot kontigjentet e gjuajtësve të dhuruar nga Rusia, duhet të ndihmohet nga Franca që të mos ulë kapacitetet e saj luftarake. Pra në mënyrë indirekte pranohet se Franca me armatosjen e Serbisë me armë të sofistikuara ka marrë përsipër një mission, që e ka armatosja e Serbisë nga Rusia.

Teza tjetër më idiote e përhapur në qarqet diplomatike dhe politike europiane për të justifikuar furnizimet franceze me armë moderne për Serbinë, është se me marrëveshjet, kontratat dhe blerjet e gjuajtësve dhe raketave franceze presideti Vuçiç po i kthen krahët dhe po shkëputet nga Rusia. Diplomacia europiane e zhytur në naivitetin e saj vazhdon të ëndërrojë sikur do ia marrë Putinit Serbinë nga shtrati.

Analiza e ftohtë e këtij zhvillimi çon të përfundimi se në marrëdhëniet e posaçme ushtarake dhe strategjike të Francës me Serbinë ka një largim nga interesat dhe nga objektivat e përbashkëta atlantike. Nuk besoj se presidenti dhe qeveria franceze janë në gjendje t’i përgjigjen pyetjes thelbësore se kundër kujt po e armatos Franca Serbinë?

Përgjigja e parë realiste është se Serbia nuk po armatoset as kundër Rusisë, as kundër Kinës dhe as kundër Koresë së Veriut. Përgjigja e dytë është se Serbia është armatosur deri në dhëmbë nga Rusia për kundër shteteve anëtare të NATO-s në Ballkan, dhe në rradhë të parë kundër kombit kroat dhe kundër kombit shqiptar, të cilët zyrtarisht klasifikohen në dotrinën ushtarake zyrtare të Serbisë si dy rreziqet kryesore.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Atëhere Serbia armatoset me guajtësit dhe raketat franceze, me tanket, gjuajtësit dhe raketat ruse dhe me dronët luftarakë rrezegjatë kinezë, për zbatim e planeve të saj agresive kundër shteteve ballkanike anëtarë të NATO-s.

Natyrisht Parisi i din fare mirë strategjinë dhe ambicjet serbe, por ai ka llogaritë e tij të veçanta individuale strategjike dhe gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor si fuqi e madhe. Këto llogari të shtrirjes së sferës së influencës franceze në Ballkanin Perëndimor Parisi planifikon t’i realizojë nëpërmjet aleatës së tij historike, duke e çimentuar tani aleancën me Serbinë sidomos në planin ushtarak.

Interesi themelor strategjik dhe gjeopolitik i Francës në Ballkanin Perëndimor është të vendosë ndikimin francez dhe jo të BE apo të NATO-s. Basti i Francës është vënë te Serbia dhe për këtë strategji afatgjatë presidenti francez Makron në vizitën e tij në Beograd ne korrik 2019 e shpalli Serbinë “shtet i madh europian”.

Kjo dëshifrohet si plan francez për ta bër Serbbinë më të madhe se ç’është dhe për të realizuar strategjinë e ndikimit të vet Franca është gati t’I akordojë Serbisë hegjemoninë në Ballkanin Perëndimor, dhe për ta përdorur Serbinë si një xhandar francez në rajon. Nuk janë rastësi oshilacionet proserbe të diplomacisë franceze lidhur me Kosovën.

Franca ka qenë protagoniste e planeve diplomatike për të ashtuquajturin “shkëmbim të territoreve” midis Kosovës dhe Serbisë, që në fakt ishte dhënia e Veriut Serbisë nga Kosova. Bën përshtypje që presidenti francez dhe diplomacia franceze nuk dolën kurrë me kushtin e  vendosur në BE nga Gjermania që Serbia nuk do të anëtarësohet në BE pa njohur Kosovën.

Kancelarja e hekurt gjermane, Angela Merkel, e ka thënë dhjetra herë publikisht dhe herën e fundit ia tha në fytyrë presidentit serb Vuçiç në vizitën e saj të fundit në Beograd. E përforcoi këtë qendrim të vendosur gjerman edhe kancelari i ri Olaf Sholc në vizitën e tij të parë në Beograd si kancelar. Diplomacia franceze ka këmbëngulur që ndërmjetës të BE në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës të ishin dy përfaqësues të dy shteteve, që nuk e njohin Kosovën si Spanja dhe Sllovakia.

Ndaj armatosja e Serbisë nga Franca me gjuajtës dhe me raketa duhet konsideruar nga shtetet e Ballkanit Perëndimor si një sinjal i inkurajimit të orekseve shoviniste dhe hegjemone të Serbisë në rajon. Kemi një zhvillim negativ, i cili po ysht disa fantazma të vjetra të rrezikëshme në Ballkan.

Nuk duket rastësi që në Greqi, një shtet klient i armatimeve masive franceze, u prit me entusiazëm vala e re e armatosjes së Serbisë nga Franca. Media greke “pentapostagma.gr”, duke shkruar për marrëveshjen e Serbisë për raketat franceze, bënte thirrjen e drithëshme në datën 21.2.2023:

”Vendi ynë duhet të rikrijojë boshtin Athinë-Beograd njësoj si në luftrat ballkanike të viteve 1912-1913”. Uroj që ta lexojnë këtë thirrje udhëheqësit kozmopolitë të Tiranës, të cilët po ia shesin popullit për të vërteta ëndrrat e tyre për paqen qiellore, që do t’i sjellin Shqipërisë fqinjët tanë historikë të viteve 1912-1913.

Kam pak shpresa se qeveria e Shqipërisë do të nxjerrë mësimin e duhur nga armatosja e Serbisë prej Francës. Skepticizmi për këtë del nga përvoja e hidhur historike, ku dy kryeministrat kryesorë dhe më jetëgjatë në pushtet të tranzionit shqiptar na erdhën nga Franca./Gazeta Dita

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *