Merret vendimi për dy serbët që iu gjetën armë, municion e simbole nacionaliste në veturë
Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurve S.J dhe I.S për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale terroriste.
Dy të dyshuarit sipas Prokurorisë Speciale po dyshohen për veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ky rast ka të bëjë me dy të dyshuar serb të cilët janë zënë me armë e municion në kufi.
Sipas njoftimit të gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa për caktimin e paraburgimit e Prokurorisë Speciale, është e bazuar.
“Kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit S.J dhe I.S kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Rruga Press