Kurti takoi emisarin britanik Stuart Peach, diskutojnë për zhvillimet e fundit në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë vonë ka pritur në zyrën e tij të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Sipas një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e njoftoi Peach me veprimet dhe qëndrimet e Kosovës për sa i takon situatës së krijuar pas sulmeve dhe tensioneve të shkaktuara nga grupe të së djathtës ekstreme në komunat veriore, që lanë të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.
“Ai theksoi se veprimet e institucioneve të sigurisë kanë për synim zbatimin e sundimit të ligjit, teksa shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kryeministri falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës”- thuhet në komunikatë.
Që nga 26 maji në komunat me shumicë serbe të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë shkaktuar tensione pasi Policia e Kosovës u ndihmoi kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave që të futen në zyrat e tyre komunale, më 26 maj.
Rruga Press