Si po shuhet Shqipëria/ 8 nga 12 qarqet kanë më shumë vdekje se lindje
Të dhënat e fundit të INSTAT mbi treguesit demografikë nxjerrin në pah një dukuri alarmuese. Shqipëria po shuhet, veçanërisht në rrethina. Sipas INSTAT, në tre mujorin e parë të vitit 8 nga 12 qarqet e vendit kishin më shumë vdekje se lindje.
Përveç Tiranës, Durrësit, Dibrës dhe Kukësit në të gjitha qarqet e tjera vdesin më shumë njerëz se sa lindin. Por shtesa natyrore pozitive në 4 qarqet e mësipërme është e pamjaftueshme për të përmbysur tendencën kombëtare. Sipas INSTAT në tremujorin e parë të vitit në Shqipëri pati 393 vdekje më shumë se sa lindje në rang kombëtar, (5557 vdekje dhe 5164 lindje) Nëse në ekuacion fut dhe emigracionin, atëherë shuarja demografike e vendit merr përmasa të frikshme.
Të dhënat kronologjike dëshmojnë se përkeqësimi i treguesve demografikë po thellohet me shpejtësi. Vitin e kaluar ishin 7 qarqe që regjistruan më shumë vdekje se lindje dhe 5 të tjerë që patën shtesë natyrore pozitive. Por kjo nuk mjafton.
Në vitin 2018, shtesa natyrore e popullsisë në rang kombëtar ishte 7130 vetë. Në atë vit, Shqipëria regjistroi 28 mijë e 934 lindje dhe 21 mijë e 804 vdekje. Por vitin e kaluar shtesa natyrore e popullsisë ra në 690 vetë.
Kjo tendencë është alarmuese. Shtesa natyrore e popullsisë është vetëm njëri nga faktorët që përcakton ecurinë e numrit tota lë popullsisë. Faktori tjetër është migrimi neto, pra diferenca mes atyre që largohen nga vendi dhe atyre që kthehen.
Kjo shifër prej vitesh është negative, që do të thotë se veç rënies së shtesës natyrore, popullsia e Shqipërisë po rrudhet edhe nga emigracioni. Me këto ritme të thella, Shqipëria po shuhet. Veçanërisht në rrethet e saj, të cilat një ditë, jo shumë larg do të shndërrohen në qarqe dhe qytete fantazmë. Ose në azile, ku jetojnë vetëm të moshuar.
Kjo është një bombë demografike me pasoja shumë të rënda për të ardhmen e ekonomisë, financave publike, por edhe vetë ekzistencës së vendit. Dhe tashmë, bomba demografike është bërë kërcënimi kryesor i Shqipërisë.
Rruga Press